Connect with us

Religjion

Mbështetja e vërtetë në All-llahun xh.sh.

Published

on

 “O besimtarë! – kini frikë Allahun ashtu si duhet t’i frikësoheni dhe mos vdisni, pos vetëm duke qenë muslimanë!” (Alu Imran, 102)

Në këtë tekst, do tandajmë me juve një tregim mbi fuqinë e vërtetë të mbështetjes në Allahun xh.sh.:

A je nervoz? Merr frymë thellë, pastaj nxirre frymën, qetësoje zemrën tënde dhe ji i qetë. Kthehu një hap prapa dhe vlerësoje objektivisht situatën. Kurrë nuk është aq keq sa mendon ti. Bëre më të mirën që mundesh dhe mbështetu në Allahun e Madhërishëm. Ai do ta tregojë rrugëdaljen dhe do të ndihmojë. Ai do të sjellë lehtësim prej nga nuk e ke shpresuar.

 “… e kush i frikësohet Allahut, Ai i bënë rrugëdalje atij, dhe e furnizon atë prej nga nuk e pret; kushdo që mbështetet te Allahu, Ai i mjafton atij. Allahu, me të vërtetë, i zbaton deri në fund punët e Tij; Allahu, për çdo gjë ka caktuar afatin…” (et-Talak, 2-3)

Pikërisht, tregimi vijues e lustron këtë që u theksua:

Jo shumë moti një musliman ishte në dilemë, ai i kishte dy zgjedhje, dhe që të dyja i shkaktonin vështirësi. Ishte menaxher i njërit prej hoteleve më të mëdha në Egjipt. Hoteleria në Egjipt është një nga më konkurrueset në botë, kështu që ky menaxher përpiqej gjithmonë që në hotelin e tij të ofrojë shërbimin më të mirë të mundshëm. Ju kushtonte vëmendje edhe detajeve më të imëta, i vendoste prioritetet në buxhet, e mbikëqyrte stafin dhe personalisht kyçej në çdo problem. Ishte shumë i suksesshëm në punën e tij, dhe për këtë shumë e çmonin eprorët e tij.

Megjithatë, një pjesë e punës së tij shumë e shqetësonte dhe shumë turpërohej për të. Në çdo hotel të madh në Egjipt, shërbimi i alkoolit është i detyrueshëm, dhe ky detyrim e vriste nga brenda. Ai e dinte se shërbimi i alkoolit është haram. Allahu e ka ndaluar alkoolin, dhe paratë që vijnë prej tij janë haram, dhe kjo ishte pjesa e punës për të cilën ai ishte i shqetësuar, pa marrë parasysh se sa i suksesshëm që ishte.

Koha po kalonte, ndërsa ai po vazhdonte punën e tij në mënyrë perfekte, mirëpo kjo puna e blerjes dhe shërbimit të alkoolit po e vriste. Më në fund vendosi të shkojë te një dijetar i famshëm egjiptian dhe ta pyes për këshillë. Pasi caktoi takim me të, ata u takuan dhe ai ja shpjegoi problemin e tij.

Dijetari pa hezitim i tha: “Duhet ta braktisësh atë punë!”

Kjo përgjigje nuk ishte e mjaftueshme, andaj ja shpjegoi dijetarit:

“Kjo është puna ime e vetme. Unë punoj në këtë veprimtari gjithë jetën time. Unë nuk di asgjë tjetër të punoj. Kam grua dhe fëmijë për të cilët duhet të kujdesem. Nuk mundem aq lehtë ta lë punën dhe të mbetëm i papunë dhe pa para si shumë të tjerë në Egjipt!”

Dijetari ju përgjigj: “A ke ardhur tek unë duke menduar se do të jap leje për atë që Allahu e ka ndaluar? Lëshoje punën në emër të Allahut!”

Njeriu, duke mos ditur se çfarë të bëjë, tha: “Por unë kam familje të cilën duhet mbajtur. Unë jam burimi i tyre i vetëm i parave. Si do t’i ushqej fëmijët e mi? Nëse e lë punën, nuk do të jam në gjendje t’i përmbush as nevojat më themelore të jetës. Çfarë duhet të bëj?”

Dijetari ia kujtoi menaxherit ajetin e Kuranit

– “… e kush i frikësohet Allahut, Ai i bënë rrugëdalje atij, dhe e furnizon atë prej nga nuk e pret; kushdo që mbështetet te Allahu, Ai i mjafton atij…”

Ai u kthye në hotelin e tij duke e ditur se duhet ta merr vendimin më të vështirë në jetën e tij. E dinte se nëse e mban atë punë, nuk do ta arrijë kënaqësinë e Allahut. Edhe pse kishte frikë për të ardhmen e tij, nuk ishte i gatshëm që ta humbas fenë e tij dhe ahiretin për shkak të punës, por edhe dridhej nga mendimi për rrezikun që e priste, e gjithashtu edhe ndjente frikë për të ardhmen e tij dhe të familjes së tij.

Derisa e bënte punën e tij ditore ai dukej krejt normal, por ishte i preokupuar me mendime. Pastaj e mori vendimin që të japë dorëheqje pa u penduar. Ishte i bindur se ky është vendimi i vetëm i drejtë. Duke besuar fortë dhe duke u mbështetur në Allahun, ai bëri lutje:

“O Allah, po mbështetem në Ty, dhe këtë unë po e bëj vetëm për Ty. Unë e di se Ti do të më gjesh rrugëdalje, prandaj të lutem më ndihmo!”

U nis drejt zyrës së tij, u ul pranë tavolinës dhe filloi ta shkruajë dorëheqjen e tij. Derisa po shkruante, i cingëroi telefoni. Ishte eprori i tij i cili e thirri për t’ia komunikuar lajmin. Menaxheri ishte tronditur dhe nuk po mund të besonte në atë që dëgjoi. Ata e informuan se ai është avancuar në detyrë dhe më nuk do të jetë përgjegjës për menaxhimin e këtij hoteli, por do ta menaxhojë një hotel tjetër në Medine, në qytetin e Pejgamberit savs, dhe atë, në afërsi të xhamisë së Pejgamberit savs.

Lutja e tij u pranua para se ai ta përfundonte shkrimin e dorëheqjes!!!

 “Allahu askënd nuk e ngarkon përtej mundësive të veta. Është në dobi të tij e mira që e bën, kurse e keqja në dëm të tij. O Zoti ynë! Mos na dëno nëse harrojmë ose gabojmë, pa qëllim! Mos na ngarko barrën që ua ke ngarkuar atyre përpara nesh! O Zoti ynë mos na ngarko për detyrë atë për çka nuk kemi mundësi! Shlyej mëkatet tona dhe na fal, dhe kij mëshirë ndaj nesh! Ti je Zoti ynë, andaj na ndihmo kundër popullit mosbesimtar!” (el-Bekare, 286)

Robër të Allahut, Allahu na bekoftë me Kuranin Famëlartë dhe na bëftë dobi me ajetet dhe urtësitë e tij! Kërkoj falje nga Allahu për neve dhe për të gjithë besimtarët! Edhe ju kërkoni falje nga Ai dhe pendohuni tek Ai, sepse me të vërtet Ai është Falës, e pranon pendimin dhe është i Mëshirshëm.

Përkthim: Miftar Ajdini

(Islampress.ch)

NA NDIQ NË FACEBOOK