Connect with us

Religjion

“Argumentet (shenjat) e Miraxhit” | Islam Press

Published

on

Falënderimi i qoftë Allahut të Madhërishëm, kurse bekimi dhe paqja qoftë mbi Pejgamberin Muhamed (savs), mbi familjen e tij dhe mbi shokët e tij. Paqja dhe shpëtimi i Allahut qoftë edhe mbi shehidët, mbi të gjithë të vdekurit tonë dhe mbi njerëzit që kërkojnë rrugën e së mirës.

Të dashur vëllezër!

Hutbeja e sotme e mban titullin: Argumentet (shenjat) e Miraxhit

„Pa të meta është Lartëmadhëria e Atij që robin e Vet e kaloi në një pjesë të natës prej Mesxhidi Haramit (prej Qabes) gjer në Mesxhidi Aksa (Bejti Mukaddes), rrethinën e të cilës Ne e kemi bekuar, (ia bëmë këtë udhëtim) për t’ia treguar atij disa nga argumentet Tona. vërtet, Ai është dëgjuesi (i fjalëve të Mu hamedit), pamësi (i punëve të Muhammedit).“ (el-Isra’, 1)

Ishte nata e 27 (njëzet e shtatë) e muajit Rezeb, viti i 10 (dhjetë) i pejgamberllëkut të Muhamedit (a.s.).

“Më është dhanë Buraku, që është një kafshë më e madhe se gomari dhe më e vogël se mushka, e cila ecën me shpejtësinë e shikimit.” Ka thënë Pejgamberi (a.s.).

Kur arriti ai në tempullin e largët, në Mesxhidi Aksa, argument ishte se të gjithë pejgamberët e mëparshëm e pritën të rreshtuar në safa, e vendosën në mihrab dhe i falën dy rekate namaz pas tij. Ky argument tregon se Allahu i Plotfuqishëm e ka shpallur gjithmonë të njëjtën fe, një fe për të gjithë pejgamberët, dhe Shpalljen e ka vulosur me Muhamedin (a.s.). Andaj, kush kërkon rrugë tjetër përveç asaj që ndoqën pejgamberët, e cila me shpalljen e Muhamedit (a.s.) është përfunduar dhe përsosur, ai nuk do të ketë kurrfarë dobie.

Kur ai u largua nga Mesxhidi Aksaja, argmenti ishte se meleku Xhibril po e priste duke i ofruar të zgjidhte midis qumështit dhe verës. Pejgamberi tha: “Unë e zgjodha qumështin”, kurse Xhibrili i tha: “Ti e zgjodhe Islamin.” Ky argument tregon se feja që Allahu i Lartësuar e plotësoi dhe e përsosi me pejgamberllëkun e Muhamedit (a.s.), është e lindur në natyrën njerëzore, dhe ajo i jep njeriut përgjigje për të gjitha pyetjet dhe i jep zgjidhje në çdo situatë. Qumështi i nënës përmban gjithçka që i nevojitet fëmijës, duke përfshirë ushqimin, ujin dhe ilaçet, pikërisht ashtu siç është përfshirë, siç është shpjeguar dhe siç i është ofruar njeriut çdo gjë në Islam. Nëse ai e pranon këtë  Rrugë të përsosur, ai do të jetë i lumtur dhe i shpëtuar, kurse ai që zgjedh verën në vend të qumështit, e cila në këtë argument që i tregohet Pejgamberit simbolizon lajthitjen, ai ka dështuar.

Me Xhibrilin në shoqëri dhe hipur në Burak, Pejgamberi (a.s.) niset për në Miraxh. Atje, në Mesxhidi Aksa, me zgjedhjen midis qumështit dhe verës përfundon Israja, udhëtimi i natës dhe fillon Miraxhi, ngjitja në qiell. Vazhdimisht, rrethina e tij (savs) bekohet dhe atij i shpallen argumente. Tani argumentet i tregojnë se në secilën nga shtatë sferat e qiejve, atë e pret ndonjë pejgamber, e përshëndet dhe i shpreh mirëseardhje.

Të gjithë pejgamberët e kanë ditur se do ai të vjen, gjë që përsëri konfirmon se ata të gjithë kanë thirrë në të njëjtën Rrugë, dhe e kanë ditur se Rruga më në fund do të tregohet, dhe do t’i ndriçohet njerëzimit me ardhjen e atij Pejgamberi i cili do të nderohet me Miraxh. Ndër të dërguarit që e përshëndetën duke kaluar nëpër sferat qiellore, ishte edhe Ibrahimi (a.s.). Muhamedi (a.s.) e pa atë të mbështetur në Bejtul-Ma’mur dhe, në atë Qaben qiellore në të cilën mbështetej Ibrahimi (a.s.) çdo ditë hyjnë nga 70.000 melekë dhe kurrë më nuk dalin jashtë. Në qiej Bejtul-Ma’mur është Qabeja për melekët, kurse në Tokë Bejtun Atik është Qabeja për njerëzit. Kush kthehet kah ajo, kah Qabeja tokësore, do të shpëtohet, kurse kush nuk e di përgjigjen në varr, se ku është kibla e tij, ai nuk do të shpëtohet.

Një argument i madhe iu shfaq kur kaloi në Sidretul – Munteha, në kufirin që as Xhibrili nuk e kaloi. Pejgamberi ynë i dashur, i dashuri i Allahut, ka kaluar kufirin përtej të cilit mendja nuk arrin dhe përtej tij ai ka parë, çfarë askush nuk ka parë. Ai e ka parë Xhenetin dhe Xhehenemin, dhe na ka treguar se në Xhenet ka e parë, ndër të tjera, edhe pallatin e Omerit (r.a.), që është një argument të cilin ne duhet ta lexojmë. Me këtë, Pejgamberi (a.s.) e thekson rëndësinë, në fakt domosdoshmërinë e drejtësisë në shoqëri, në mënyrë që ajo të jetë stabile, me prosperitet dhe e suksesshme. Pejgamberi (a.s.) na ka thënë se në Xhehenem ka parë ngrënës të pasurisë së jetimëve, uzurpues të pasurisë së të tjerëve, përgojues, ofendues të njerëzve dhe njerëz imoralë. Le të ndalemi për një çast te mëkatet të cilat Pejgamberi (a.s.) i përmend dhe tregon për to duke u kthyer nga Miraxhi. Të gjitha ato, janë të rrezikshme për shoqërinë, e shkatërrojnë atë, nuk i lejojnë përparim, kurse Miraxhi ndodhi në vitin e dhjetë të pejgamberllëkut, ndërsa për dy vjet Pejgamberi (a.s.) duhej ta ndërtonte shtetin, por ai nuk mund të ndërtohej me mëkatarë. Këtu shohim se nuk mundet, prandaj para hixhretit vihet në dukje kaq qartë dënimi që i pret ata, që me veprimet e tyre e shkatërrojnë shoqërinë nga brenda.

Është argument i jashtëzakonshëm që Pejgamberi ynë i dashur ka folur drejtpërdrejt me Zotin e botëve. Xhibrili nuk ishte aty, atij nuk u lejua ta kalonte kufirin në Sidretul-munteha.

Në atë bisedë, Allahu i Plotfuqishëm e urdhëroi Pejgamberin, që të na i urdhërojë neve dhe të na i mësojë namazet ditore. Vetëm atëherë, vetëm në namaz, njeriu ka mundësi të flasë me Zotin dhe të ngritet në miraxhin e tij, kurse dobia e asaj bisede është e tillë që nuk mund të vlerësohet me standardet e kësaj bote, sepse kush nuk falet pesë herë në ditë, kush nuk flet me Allahun, nuk do të jetë në gjendje t’i përgjigjet pyetjes së parë, kurse nëse asaj nuk i përgjigjemi, atëherë nuk do të ketë pyetje të tjera. Namazi vëllezër, namazi! Muslimani nuk mund të jetojë pa namaz dhe të quhet besimtar, sepse namazi është shtylla dhe themeli i fesë islame. Nuk ka shtëpi pa themel, shtëpia jonë është Islami, kurse namazi është shtylla e Islamit.

Është argument se Allahu i Plotfuqishëm në Miraxh ia shpalli Pejgamberit (a.s.) tre ajetet e fundit të sures Bekare dhe në to, ndër të tjera, na porosit se nuk do të na ngarkojë përtej mundësive tona, duke na paralajmëruar se do të jetë e vështirë të justifikohemi nëse nuk bëjmë atë që mundemi. Ky Miraxh vjen për të na thënë: O pasuesit e Muhamedit, shikojeni gjendjen tuaj, sepse nuk po bëni atë që mundeni, po i shkelni urdhrat e Allahut, po zgjedhni verën në vend të qumështit dhe po prisni zgjidhje nga të tjerët, në vend se të përpiqeni vetë ta arrini zgjidhjen.

Israja edhe Miraxhi ishte nder i jashtëzakonshëm për Pejgamberin (a.s.) që u dërgua te njerëzimi, kurse nderi mbi të gjitha nderet ishte ajo që ia dha atij i Lartmadhëruari në Miraxh. Ai ia dha atij shefa’atin, Ai të dashurit të tij ia mundësoi që të ndërmjetësojë për pasuesit e vet në Ditën e Gjykimit, që të lutet për faljen e tyre dhe që t’i çojë ata në Xhenet nën flamurin e falënderimit.

O Allah i Plotfuqishëm, na bëj të denjë për shefa’atin e Pejgamberit. Amin!

Hatib: Izet ef. Čamdžić;

Përshtati në shqip: Miftar Ajdini

(Islampress)

NA NDIQ NË FACEBOOK