Lajme
Udhëtime në zonën Schengen, por a do të ketë migrime?


Qytetarët e Kosovës nga 1 janari i vitit 2024 kanë nisur të udhëtojnë pa viza në shtetet e zonës Schengen.
Liberalizimi i vizave u mundëson qytetarëve të Kosovës, që kanë pasaporta biometrike, të qëndrojnë deri në 90 ditë – brenda gjashtë muajsh – në cilindo nga 27 shtetet anëtare të zonës Schengen.
Por, pavarësisht se Spanja është pjesë e Schengenit, kosovarët nuk do të mund të udhëtojnë në këtë shtet, pasi Madridi zyrtar nuk e njeh pavarësinë e Kosovës e as pasaportat e saj.
Më 1 në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari”, u organizua udhëtimi i parë i 50 qytetarëve, që fituan udhëtimin drejt Vjenës së Austrisë në kuadër të të një fushate informuese të autoriteteve lidhur me liberalizimin e vizave.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se për vite të tëra qytetarët u privuan nga e drejta për të lëvizur pa viza në zonën Schengen.
Gjatë ceremonisë në Aeroportin e Prishtinës, Kurti u kërkoi qytetarëve që udhëtojnë pa viza që të respektojnë kërkesat dhe kriteret, “sepse kështu respektojmë dhe lartësojmë shtetin tonë”.
Udhëtimet pa viza shërbejnë për vizita turistike, çështje familjare ose të ngjashme. Megjithatë, liberalizimi i vizave nuk nënkupton leje pune apo përfitime të tjera.
Kosova ishte vendi i fundit i Ballkanit Perëndimor, qytetarët e të cilit deri më tani nuk mund të lëviznin lirshëm në zonën Schengen.
Kjo pavarësisht faktit se që nga viti 2018, Komisioni Evropian kishte konfirmuar disa herë që Kosova kishte përmbushur të gjitha kushtet për liberalizimin e vizave, por që disa shtete vazhdimisht kishin shprehur rezerva.
Sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, gjatë vitit 2022, nga Kosova u larguan rreth 41.500 banorë. Ndër arsyet e cekura për emigrim ishte edhe punësimi.
Banka Botërore thotë se, sipas parashikimeve, tregu i punës do të vazhdojë të ndikohet nga migrimi i ligjshëm i fuqisë punëtore edhe pas liberalizimit të vizave, ashtu si edhe në të kaluarën.
Megjithatë, liberalizimi i vizave nuk kishte efekt të dukshëm në numrin e rasteve të identifikuara për punësim të paligjshëm në vendet e Bashkimit Evropian.
Udhëtimet pa viza duhet të shërbejnë kryesisht për vizita turistike apo familjare dhe jo për qëllime punësimi.
Kushtet për liberalizim të vizave përfshijnë reforma për ta përforcuar sundimin e ligjit, luftimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit, menaxhimin e migrimit dhe përmirësimin e kapaciteteve administrative në kontroll të kufijve.
Liberalizimi i vizave, pasaporta e Republikës së Kosovës fuqizohet për 36 vende
Në rast të rritjes së migrimit ilegal nga ndonjë vend, BE-ja ka të drejtë ta suspendojë përkohësisht regjimin e udhëtimit pa viza.
Ky mekanizëm, që u iniciua në vitin 2013, aktivizohet nëse ka rritje për mbi 50 për qind të hyrjeve ilegale nga një vend dhe qëndrimit ilegal, nëse ka rritje për mbi 50 për qind të aplikimeve për azil, nëse ka rënie të bashkëpunimit për kthim të detyrueshëm dhe nëse vlerësohet se ka rrezik të shtuar për sigurinë e shteteve anëtare të BE-së.
Migrimi pas liberalizimit të vizave, në 2022 mbi 41 mijë qytetarë u larguan nga Kosova
<p>The post Udhëtime në zonën Schengen, por a do të ketë migrime? first appeared on Gazeta Online Reporteri.net.</p>




















