Lajme
Gjysma e pjesëmarrësve vajza në trajnimin në Prizren mbi Edukimin Medial


Të shtunën, në Prizren, u zhvillua trajnimi i radhës me mbi 20 të rinj nga kjo komunë, të komuniteteve Rom, Ashkali dhe Egjiptian. Grupi i tretë i pjesëmarrësve u trajnua në kuadër të projektit “Luftimi i dezinformimit dhe propagandës përmes edukimit medial për komunitetet joshumicë në Kosovë” – i financuar nga Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, me grant për gazetën online Reporteri.net.
Njëzetenjë (21) pjesëmarrësit në këtë trajnim ishin të moshave 18-35 vjeç. Mbi gjysma (50%) e tyre ishin vajza dhe gra. Pjesëmarrës në këtë trajnim ishin edhe vullnetarët e organizatës lokale “Durmish Aslano”. Trajnimi u zhvillua në hapësirat e “Makerspace Innovation Center” në Prizren.
Të rinjtë u trajnuan në pesë module të ndryshme: Juristja e medias, Flutura Kusari i trajnoi mbi “Rregullimin e Mediave dhe Përgjegjësinë Ligjore të Punëtorëve të Medias”. Bekim Kabashi nga Reporteri.net u ligjëroi për “Identifikimin e Burimeve të Besueshme të Informacionit”. Lavdim Hamidi nga Front Online u ligjëroi për “Raportimin etik, privatësinë dhe sigurinë online”. Gazetari Selamir Qerimi nga T7 i trajnoi për “Verifikimin e fakteve”. Dhe e fundit, Aurora Popova nga “Debat Center” u ligjëroi rreth “Mendimit Kritik”. Në fund, bashkë me pjesëmarrësit për një orë u simulua një demo-debat, rreth identifikimit dhe luftimit të dezinformimit dhe propagandës.


















