Kosovë
Vrasja në ‘Bon Vivant’ – Dukagjin Nikollaj i pakapshëm për shtetin, qe gati 5 muaj në arrati

I kërkuari nga FBI-ja, Dukagjin Nikollaj, i njohur si ‘Duka’, i përfshirë në tragjedinë e 4 gushtit në kafeterinë “Bon Vivant” në Prishtinë, akoma ndodhet në arrati. Duka – qe gati 5 muaj është i pakapshëm për shtetin, përkundër që u shpall në kërkim. Organet e rendit akoma nuk kanë arritur ta sigurojnë prezencën e tij, raporton Gazeta Sinjali.
Gazeta Sinjali është interesuar për të marrë informacione në Prokurorinë Themelore në Prishtinë për hetimet që po zhvillohen për këtë rast dhe detajet me interes për publikun.
Por nga Prokuroria vetëm e kanë konfirmuar se Nikollaj ende nuk është kapur, por që “po punohet” për arrestimin e tij.
“Referuar pyetjeve tuaja, ju njoftojmë se personi për të cilin keni shprehur interesim akoma ndodhet në arrati.
Prokuroria në koordinim me policinë janë duke punuar për arrestimin dhe sigurimin e prezencës së të dyshuarit në procedurën penale, ndërkaq rasti ndodhet në hetime.” – thuhet në përgjigjen e Prokurorisë për Sinjalin.
‘Duka’ u shpall në kërkim nga Policia e Kosovës një javë pas krimit që tronditi kryeqytetin dhe deri më sot ka arritur të shpëtojë nga prangat, duke qëndruar në arrati.
Dukagjin Nikollaj është i kërkuar edhe nga FBI, si i dyshuar për pjesëmarrje në bandën “Krasniqi Organization”.
Çka dihet për rastin tragjik në Bon Vivant?
Një i vdekur dhe të paktën 20 të plagosur e lënduar, katër të arrestuar, një në arrati, ishte bilanci i tragjedisë së 4 gushtit në qendër të Prishtinës.
I vdekur mbeti Kastriot Ramadani, nga Komuna e Drenasit, derisa të dyshuarit që po hetohen janë Andi Pajaziti, i njohur si ‘Italiani, Hysni Geci dhe Gzim Zakuti.
Sipas dosjes së Prokurorisë Themelore në Prishtinë, të cilën e ka publikuar Sinjali muaj më parë, janë dhënë detaje se si ka ndodhur rasti tragjik, pasi Pajaziti u fut në lokal dhe u konfrontua me grupin e ‘Dukës’.
“Ekziston dyshimi i bazuar se me datën 4 gusht 2023 rreth orës 23:17, në lokalin “Bon Vivant” në rrugën “Rexhep Luci” në Prishtinë, pas një përleshje fizike në mes të pandehurve Andi Pajaziti dhe Gëzim Zakuti në njërën anë me të pandehurit Dukagjin Nikollaj, dhe tani të ndjerin Kastriot Ramadanin dhe personit të paidentifikuar deri më tani në anën tjetër, me dashje që ta privojnë njëri-tjetrin nga jeta, në atë mënyrë që derisa në lokal ishin të ulur të pandehurit Dukagjin Nikollaj dhe tani i ndjeri K.R. si dhe një person tjetër deri më tani i paidentifikuar në lokalin e lartë cekur kanë ardhur Andi Pajaziti dhe Gëzim Zakuti dhe kanë qëndruar në këmbë në afërsi të tavolinës ku ishin ulur të pandehurit Dukagjin Nikollaj i cili gjendet në arrati dhe tani i ndjeri Kastriot Ramadani.”.
Prokuroria pretendon se Andi Pajaziti i njohur si “italiani” dhe Dukagjin Nikollaj kishin nisur të përleshen fizikisht. Më pas, i ndjeri kishte goditur Pajazitin me një shishe qelqi dhe ky i fundit kishte shkrepur në drejtim të tashmë viktimës.















