Kosovë
Vrasja e Liridonës/ Deputeti i LVV-së propozon kthimin e dënimit me vdekje: Unë do e votoj
Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Enver Dugolli, e ka parë si opsion rikthimin e dënimit me vdekje në legjislacionin e Republikës së Kosovës, me qëllim të frenimit të rasteve sikurse ai i vrasjes së Liridona Ademajt, raporton Sinjali.
Dugolli ka thënë se dënimet me ligjet aktuale janë të buta dhe se propozim i tij ka qenë rikthimi i dënimit me vdekje.
“U vra një grua mizorisht, nënë e dy fëmijëve, pa asnjë faj, pa asnjë të drejtë të dikuj që të privojë jetën e një gruaje. Unë mendoj që dënimet për vepra të tilla të rënda kriminale janë të buta dhe insistoj që ashpërsimi i dënimeve të jetë në fokus të ndryshimeve legjislative që do të duhej të ndodhnin në Republikën e Kosovës. Shto këtu që edhe në këtë plan legjislativ me këto parashikimet legjislative për dënimet që janë, drejtësia s’i shqipton thuajse asnjëherë ato maksimalet. Unë kam propozu, edhe pse është e vështirë të realizohet për shkak të problematikës që ka kjo iniciativë, kthimin e dënimit me vdekje, për shkak të përafrimit të legjislacionit tonë me BE-së”, ka deklaruar ai për Euronews Albania.
Tutje, Dugolli tha se në rast se do të vijë në shprehje një iniciativë e tillë, ai do ishte i pari që do ta votonte rikthimin e dënimit me vdekje.
“Megjithatë, nëse do të vijë në shprehje një iniciativë e tillë, unë si deputet do ta votoja rikthimin e dënimit me vdekje për ata që vërtetohet se kryejnë këso lloj veprash të rënda. Jemi dëshmitarë se në shumicën e vendeve ka ekzistuar dënimi me vdekje si masë për të parandaluar veprime të tilla të rënda. Unë e kuptoj se tani jemi në këto momentet kur Kosova po bën përpjekje që të ecë përpara drejt përmbushjes së atyre kushteve për t’u bërë pjesë e BE-së, mirëpo edhe diçka e di se, këto veprat e rënda kriminale do të duhej që disi t’i frenonim dhe të ishim shumë më rigoroz sa i përket dënimit”, tha deputeti i LVV-së.
Kujtojmë se dje gjatë ditës Gazeta Sinjali ka publikuar pamje ekskluzive nga nata kritike në restorantin ku po darkonin familja Murseli. Sipas këtyre pamjeve, shihet se ata hyjnë brenda restorantit dhe ulen për të vazhduar më tej me darkën.
Gazeta Sinjali po ashtu ka siguruar edhe pamjet ekskluzive ku shfaqet në të njëjtin restorant edhe i dyshuari për vrasjen e Liridonës, Granit Plava.
Pamjet tregojnë se Plava futet në restorantin ku po darkonin familja Murseli pak pas tyre dhe i njëjti është kamofluar me një kapelë në kokë.
Pas përfundimit të ndejës së tyre, Naimi bashkë me Liridonën dhe fëmijët janë nisur me veturën e tyre, deri kur arritën në rrugën ‘Dalip Alshiqi’ e ku gjoja u kanë dalë në pritë grabitësit e armatosur, që në fakt ishte Plava, i cili dyshohet se e qëlloi nga afërsia Liridonën me plumb në qafë.
Darkën para tragjedisë, e ka përmendur edhe babai i të ndjerës, Hajdar Ademaj, i cili ka deklaruar se para se të nisej për në Prishtinë, Liridona kishte qëndruar për vizitë te familja e saj në Gjakovë.
Ademaj tha se Liridona e kishte njoftuar se bashkë me Naimin do shkojnë për të ngrënë bukë në Graçanicë.
“At ditën e mram, ka thënë babë po shkoj. I thash ku, tha tek shpija babë. Jo babë po shkoj tha. U shku. Kur ka mbërri ai në Prishtinë atje e ka thirr burrin e vet i ka thënë ku je thotë erdha në Gjakovë për me ju bë befasi fëmijëve që jom ardh me ju marr. Sonte babë tha a e din se ku jena tu dasht me shku, tha jemi ka dojmë me shku në Graçanicë me hangër bukë. Thashë u ba e të fala Naimit. Kur u bë 20:15 minuta kam ndi që u vra qika” ka thënë pas aktit tragjik, Hajdar Ademaj.
Kujtojmë që, fillimisht Naim Murseli pati deklaruar se ai ka arritur që të arratiset me fëmijët, ndërsa më pas ka dëgjuar të shtënën që e la të vrarë në vend Liridonën.
Por, ai nuk qëndroi në cilësinë e viktimës as për 48 orë, pasi menjëherë pas varrimit të Liridonës, më 1 dhjetor, Naimi u arrestua si i dyshuar për porositjen e vrasjes së bashkëshortes së tij.
Bashkë me të në pranga ranë edhe Granit Plava dhe Kushtrim Kokalla, pjesëtar i Forcës së Sigurisë së Kosovës dhe familjar i Naimit. Tre të dyshuarit kanë inskenuar një grabitje të armatosur, çka bëri që rasti fillimisht të cilësohej si ‘Grabitje e armatosur me pasojë vdekjen’.
Të dyshuarit janë dërguar në paraburgim për 30 ditë në Burgun e Sigurisë së Lartë në Dyz.
Naim Murseli ngarkohet me veprën penale ‘Vrasje e rëndë në bashkëkryerje’.
Granit Plava ngarkohet me veprat penale ‘Vrasje e rëndë’ dhe ‘Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armës’.
Kushtrim Kokalla ngarkohet me veprën penale ‘Marrëveshje për të kryer veprën penale ‘Vrasje e rëndë’’.
E, në vazhdën e zhvillimit të hetimeve për rastin e vrasjes së rëndë të 30-vjeçares, Liridona Ademaj, Policia e Kosovës në koordinim me Prokurorinë dhe me urdhër të Gjykatës, ka ndërmarr në një aksion tjetër në fshatin Novosellë të Gjakovës, ku ka arrestuar edhe të dyshuarin e katërt, Tomë Dodaj.
Dodaj dyshohet se ka furnizuar me armën e krimit dy të dyshuarit tjerë, Naim Murselin dhe Granit Plavën.
Kujtojmë se trupi i të ndjerës, Liridona Ademaj, të hënën u zhvarros nga varrezat e fshatit Cërmjan, për t’u përcjellë në banesën e fundit në fshatin e saj të lindjes, në Rracaj të Gjakovës.
Kjo vrasje e rëndë ka tronditur qytetarët, shoqërinë civile dhe akterët e fushës së politikës, të cilët kanë reaguar ashpër duke kërkuar dënim maksimal për kryesit e veprës.