Bota
Të paktën 13 të vdekur dhe dhjetëra të plagosur nga shpërthimi i furrës në fabrikën e nikelit në Indonezi

Të paktën 13 persona janë vrarë dhe dhjetëra janë plagosur pas një shpërthimi në furrën e shkritores në një fabrikë nikel në Indonezi, thanë zyrtarët.
Shpërthimi në parkun industrial Morowali në ishullin Sulawesi ndodhi gjatë mirëmbajtjes së furrës rreth orës 6:30 të mëngjesit me kohën lokale.
Rreth 38 persona u dërguan në spital, tha policia, disa në gjendje kritike.
Të paktën pesë punëtorë kinezë dhe tetë indonezianë vdiqën kur furra shpërtheu papritur teksa po e riparonin, tha shefi i policisë Qendrore të Sulawezit, Agus Nugroho.
Shpërthimi ishte aq i fuqishëm sa shkatërroi furrën dhe dëmtoi pjesë të mureve anësore të ndërtesës, shtoi ai.
Autoritetet po punojnë për të përcaktuar nëse neglizhenca e kompanisë çoi në vdekje, tha shefi i policisë.
Shpërthimi është i fundit në një seri aksidentesh vdekjeprurëse në fabrikat e shkrirjes së nikelit në pronësi kineze në Indonezi.
Nikeli është bërë gjithnjë e më i rëndësishëm për Indonezinë, prodhuesin më të madh të nikelit në botë, me miliarda dollarë investime globale që rrjedhin pasi qeveria ndaloi eksportet e xehes së papërpunuar në vitin 2020.
Nikeli është një komponent kyç në prodhimin global të baterive për automjetet elektrike.
Aksidenti ndodhi në PT Indonesia Tsingshan Stainless Steel.
“Ne kërkojmë falje sinqerisht për këtë incident dhe po punojmë ngushtë me autoritetet për të hetuar se çfarë e shkaktoi aksidentin”, tha zëdhënësi i kompanisë Deddy Kurniawan.
Ekipet e shpëtimit shuan zjarrin dhe evakuuan punëtorët pas një operacioni gati katër orësh, shtoi ai.
Një hetim paraprak tregoi se kishte lëngje shpërthyese në fund të furrës që shkaktoi një zjarr dhe shpërthim në cilindrat e oksigjenit aty pranë.















