Connect with us

Lajme

Kurti: 2023-ta vit sfidues e transformues për shtetin tonë, u përpoqën ta destabilizojnë por po qëndrojmë këtu më të fortë se kurrë

Publikuar

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka quajtur vit transformues për shtetin tonë vitin që po e lëmë pas.

Në një video të fundvitit, Kurti ka përmendur sfidat e sukseset në të cilat ka kaluar vendi ynë gjatë këtij vitit. 2023-tën shefi i ekzekutivit, e quajti vit që ka lënë gjurmë në shtetin tonë, shkruan gazeta online Reporteri.net.

“Kemi arritur në fund të një viti që padyshim ka lënë gjurmë në shtetin tonë. Ky vit shënoi 25 vjetorin e një nga kapitujt më të dhimbshëm të historisë sonë, krimet e kryera nga regjimi gjenocidal i Serbisë. Por, në anën tjetër po në këtë vit festuam 15 vjetorin e pavarësisë të arritur me mund e sakrifica. Jemi përballur me sporva të shumta, e megjithëato  këtu po qëndrojmë më të fortë se kurrë e të palëkundur në përkushtimin tonë drejt progresit e prosperitetit. Rrugëtimi ynë ka pasur sprovat e veta. Ka momente kur kur duket që forca të jashtme po përpiqen vazhdimisht të na destabilizojnë, mirëpo shteti ynë nuk është vetëm një copë toke, por është rezultati i përbashkët i sakrificave dhe ëndrrave të popullit tonë. Shtetin tonë e kemi fituar me meritë, dhe nuk e marrim si të mirëqenë. Pavarësisht nga forcat e jashtme ne vazhdojmë të rritemi e të zhvillohemi.

Kjo qeveri është garanci e moskorruptimit dhe e luftimit të korrupsionit. Këtë vit kemi dëshmuar se çfarë do të thotë besimi juaj për ne”, tha Kurti ndër të tjera.

Ai ka folur edhe për dialogun me Serbinë duke thënë se Kosova ka bashkëpunim me aleatët në procesin e normalizimit me Serbinë me synim për të sjellë paqe e siguri dhe “për ta hequr barrën që do ta ngadalësojë rritjen e prosperitetin tonë”.

Ai ka garantuar se çdo marrëveshje që do të nënshkruhet në këtë proces do të jetë në të mirë të vendit tonë.

“Po e mbyllim vitin edhe me mbështetjen e aleatëve tanë. Bashkëpunimi ynë me aleatët përfshinë qasjen tonë konstruktive në procesin e normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë me synimin për të sjellë paqe dhe siguri dhe për të hequr barrën që do të ngadalësonte rritjen e prosperitetit tonë. Në këtë proces të vazhdueshëm dhe në bisedimet shumë të gjata që kanë paraprirë e do të vazhdojnë do të doja të siguroja qytetarët se çdo marrëveshje që do të nënshkruhet do të jetë në të mirë të vendit tonë dhe nuk do të kërcënojë sigurinë e integritetin territorial të vendit tonë, kushtetutshmërinë e rendin ligjor”, u shpreh Kurti.

“Kosova jonë është në prag të një të ardhme që është më afër të asaj çka e meritojmë, dhe për të cilën kemi punuar intensivisht. Qeveria jonë shërben bashkë, me ju dhe për ju. Andaj ju ftoj për bashkëpunim. Kemi kaluar periudha shumë të vështira në ndërtimin e shtetësisë sonë dhe tash është koha që të zhvillojmë e të ndërtojmë vendin që e meritojmë”, tha Kurti në fund të adresimit. /Reporteri.net/

<p>The post Kurti: 2023-ta vit sfidues e transformues për shtetin tonë, u përpoqën ta destabilizojnë por po qëndrojmë këtu më të fortë se kurrë first appeared on Gazeta Online Reporteri.net.</p>

NA NDIQ NË FACEBOOK