Kosovë
Konflikt familjar në Gjakovë, babai në gjendje të dehur rrah djalin e tij

Telashet familjare janë të shpeshta, ku anëtarët përleshen mes vete apo pësojnë nga kryefamiljari. E këto zënka shpesh herë kalojnë edhe muret e shtëpisë, duke u nevojitur kështu ndërhyrja e Policisë së Kosovës për të zgjidhur problemet, raporton Gazeta Sinjali.
Një rast i tillë ka ndodhur në një familje në Gjakovë, ku një person dyshohet se nën ndikim të alkoolit ka ushtruar dhunë ndaj djalit të tij.
Sinjali mëson se 24-vjeçari ka kërkuar ndihmën e Policisë, ku ka njoftuar se babai e ka sulmuar fizikisht.
Si rezultat i denoncimit, njësitë policore kanë arrestuar të dyshuarin dhe i njëjti është shoqëruar në stacion policor. 57-vjeçari i është nënshtruar testit të alkoolit, ku ka rezultuar në gjendje të dehur.
Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka nxjerrë aktvendim që të dyshuarit t’i caktohet masa e ndalimit policor dhe i njëjti do të hetohet nën dyshimet për kryerjen e veprës penale ‘Dhunë në familje’.















