Kosovë
Katër të dyshuarit për vrasjen e Liridonës janë vendosur në katër institucione të ndryshme

Drejtori i Shërbimit Korrektues të Kosovës, Ismail Dibrani deklaron se katër të dyshuarit për vrasjen e Liridona Ademajt po qëndrojnë në katër institucione të ndryshme korrektuese. Ai mohon se të njëjtit kanë pasur mundësi të komunikojnë mes vete gjatë qëndrimit në Burgun e Sigurisë së Lartë në Dyz të Podujevës.
Pas caktimit të masës së paraburgimit për Naim Murselin, Granit Plavën e Kushtrim Kokallën, u raportua se të njëjtit gjatë shëtitjeve po qëndrojnë së bashku.
Drejtori i Burgjeve të Kosovës, Ismail Dibranit bën të ditur se bashkë me Prokurorin e Shtetit, kanë vendosur që të shpërndajnë të njëjtit në institucione të ndryshme.
Edhe personi i katërt, i cili dyshohet që ka furnizuar me armën e krimit, Naim Murselin dhe Granit Plavën, Dibrani shton se është dërguar në burg tjetër.
Ai thotë se personat të cilët akuzohen për të njëjtin vepër nuk kanë mundësi kontakti me njëri-tjetrin.
Vrasjen e Liridona Ademajt dyshohet se e ka organizuar bashkëshorti i saj, Naim Murseli. Ajo u vra më 29 nëntor në Bërnicë të Prishtinës.






















