Kosovë
Kaçanikasi sulmon inkasantin e KEDS-it që ia shkyçi rrymën, shpallet në kërkim policor

Zyrtarët e kompanive për shërbime publike gjatë punës së tyre në terren, në shumë raste hasin në telashe me qytetarët. Shpesh herë ata përballen me ofendime, kërcënime e sulme fizike të cilat ua vështirësojnë punën dhe ua rrezikojnë jetën, raporton Gazeta Sinjali.
Kështu ka ndodhur dje në fshatin Glloboçicë të Kaçanikut, ku një ekip i KEDS-it kishte dalë në terren për t’ua shkyçur rrymën konsumatorëve që nuk kishin kryer obligimet e tyre ndaj kompanisë.
Burimet e Gazetës Sinjali brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se pronari i një shtëpie dyshohet se ka sulmuar fizikisht punonjësin e KEDS-it, duke e kapur për fyti dhe duke e goditur me grushte.
I dyshuari po ashtu kishte mbyllur dyert e oborrit dhe kishte tentuar që t’i detyrojë punëtorët e KEDS-it që t’ia kyçin rrymën sërish.
Përballë kësaj situate, është njoftuar Policia e Kosovës, të cilët kanë dalë në vendin e ngjarjes por që nuk kanë arritur ta arrestojnë të dyshuarin, pasi i njëjti është arratisur.
Me urdhër të prokurorit, rasti është iniciuar ‘Sulm ndaj personit zyrtar’dhe veprimet tjera ligjore do merren posa të kapet i dyshuari.















