Connect with us

Religjion

A po demonstrojmë në adresën e duhur?

Published

on

Falënderimi i qoftë Allahut të Madhërishëm, kurse bekimi dhe paqja qoftë mbi Pejgamberin Muhamed (savs), mbi familjen e tij dhe mbi shokët e tij. Paqja dhe shpëtimi i Allahut qoftë edhe mbi shehidët, mbi të gjithë të vdekurit tonë dhe mbi njerëzit që kërkojnë rrugën e së mirës.

Të dashur vëllezër!

Hutbeja e sotme e mban titullin: “A po demonstrojmë në adresën e duhur?

Një natë ramazani ishte i ftuar në iftar halifi Omer (r.a.). Në sofër i vendosën lloje të shumta të ushqimeve, duke dashur t’i shprehnin mikpritje dhe respekt. E shërbyen edhe me qumësht mjalti. Kur e pa që e kishin sjellë atë lloj të pijes, kërkoi që ta hiqnin nga sofra, duke mos dashur ta pinte. “Pse duhet ta heqim?” – e pyetën ata. Ai u thotë: “Ky umet, i cili ka arritur shpëtimin dhe mbi të cilin unë e kam marrë përsipër menaxhimin, kur do të ketë gota me qumësht mjalti në sofrat e tyre, atëherë do të mund ta pi edhe unë. Derisa muslimanët, përgjegjësinë e të cilëve unë e mora përsipër, nuk kanë as ujë të pastër pusi për të pirë, pirja e qumështit të mjaltit tani dhe këtu nuk mund të përputhet me drejtësinë islame. Unë jam nën një barrë të tillë që, nëse një pikë gjaku bie në tokë për shkak të tiranisë dhe padrejtësisë, ajo pikë gjaku bëhet humnerë që do ta gëlltisë Omerin.”

Omeri i këtillë, halifi, el-Faruku, mund të ishte ai që përshkruhej në shpalljet e mëparshme se ai që do t’i merrte në dorë çelësat e Jerusalemit, qytetit nga i cili Pejgamberi (savs) shkoi në Miraxh. Për t’ua dorëzuar qytetin muslimanëve, banorët e Jerusalemit kishin vendosur një kusht të çuditshëm. Ata thanë: “Ne do t’ia dorëzojmë qytetin një njeriu përshkrimi i të cilit përputhet me atë të Librave tanë të shenjtë.“ Ebu Ubejde e njoftoi për këtë halifin Omer (r.a.) dhe ai u nis menjëherë nga Medina për në Jerusalem. Ai u nis në shoqërinë e përcjellësit të tij me një deve të vetme në të cilën kalëronin me radhë. Para hyrjes në Kuds, ishte radha e përcjellësit të Omerit për të hipur, kështu që halifi hyri në qytet duke e tërhequr devenë, kurse përcjellësi i tij ishte hipur mbi deve! Kur e pa atë skenë patriarku i Jeruzalemit Sofronije, tha: “Shteti juaj do të mbetet përgjithmonë, sepse pushteti i padrejtë zgjat disa orë, ndërsa pushteti i drejtë deri në Ditën e Gjykimit!“

Ndryshe nga patriarku, komandanti i ushtrisë muslimane, Ebu Ubejde, kur e pa këtë skenë, i indinjuar tha: “Nuk i takon halifit që t’i merr çelësat e Kudsit me rroba kaq të dobëta dhe duke ecur në këmbë!” Halifi Omer (r.a.), ia rrahu krahët dhe i tha: “Sikur të më kishte thënë dikush tjetër, nuk do të habitesha, kurse ti, o Ebu Ubejde, e di se ne ishim të poshtëruar, të përbuzur dhe të dobët, por Allahu na lartësoi dhe na forcoi me Islamin. Pasha Allahun, sa herë që të kërkoni krenarinë dhe dinjitetin jashtë Islamit, Allahu do t’ju përulë.”

Para se të hynte në Jerusalem, halifi Omer (r.a.) iu drejtua muslimanëve të tubuar: “O njerëz, rregullojeni brendinë tuaj, do të rregullohet edhe e jashtmja juaj. Kujdesuni, punoni dhe bëni sakrifica për ahiretin, dynjaja nuk do t’ju mungojë. Kush dëshiron ta ndiejë aromën e Xhenetit dhe kënaqësinë e përjetshme, le ta mbajë xhematin, sepse shejtani është pranë një njeriu që është vetëm, kurse kur janë dy menjëherë largohet prej tyre.”

Të dashur vëllezër!

Këto ditë në mbarë botën islame, e edhe më gjerë, po zhvillohen demonstrata kundër qëndrimit indiferent të qendrave të mëdha të pushtetit për atë që po ndodh në tokën e Kudsit. Muslimanët, si dhe njerëzit e tjerë me qëllim të mirë dhe drejtësi-kërkues, nuk i pranojnë vendimet e të fuqishmëve që poshtërojnë të tjerët, dhe padrejtësisht dhe pa bazë u japin të tjerëve atë që nuk u takon. Këto reagime të muslimanëve dhe njerëzve të tjerë me qëllim të mirë janë të kuptueshme. Ne u jemi mirënjohës të gjithëve që qëndrojnë në anën e drejtësisë dhe mbrojtjes së të dëmtuarve, por ne, umeti, në këto momente të vështira për umetin, duhet t’i themi vetes: o ndjekës të Pejgamberit, o ju të cilët Allahu i ka quajtur muslimanë, o umet të cilin Allahu e ka quajtur umeti më i mirë, sepse ai urdhëron për të mirën dhe për largim nga e keqja, duhet ta ndërroni adresën ku po demonstroni dhe kujt po ia dërgoni mesazhin!

Detyra jonë është që ta dëgjojmë fjalimin e Omerit (r.a.) dhe shpejt, pa vonesë, ta rregullojmë brendinë tonë. Detyra jonë është ta forcojmë besimin, të forcojmë imanin, të çlirohemi nga zilia, nga urrejtja, nga keqdashja, të çlirohemi nga gjithçka që na bën të dobët dhe të pafuqishëm në luftën për dinjitet dhe për liri. Një popull, umeti i shpalljes „lexo“, i cili është në urrejtje reciproke, në përçarje, i ndarë në fraksione, i cili në plan të parë i thekson dallimet sektare dhe të tjera krejtësisht të parëndësishme, nuk mundet të respektohet nga askush, e veçanërisht nga armiku.

Detyra jonë është që ta dëgjojmë fjalimin e Omerit (r.a.) dhe duke e rregulluar brendinë tonë ta tregojmë një pamje tjetër të jashtme. Ne duhet të kishim demonstruar shumë kohë më parë, kur them ne, e kam fjalën për umetin, kundër tiranisë në vendet muslimane, kundër robërisë dhe kundër regjimeve jodemokratike. Demonstratat tona duhej të ishin masive dhe të zgjasnin derisa ta kuptojmë se çrregullimi në shtëpinë tonë, në shoqëritë tona, po na shkatërron neve. Është e vërtetë, për fat të keq, se më të korruptuarat janë shoqëritë tona, muslimane. Është e vërtetë, për fat të keq, se ne jemi më jotransparentët në çdo gjë, si në punësim ashtu edhe në vlerësimin e cilësisë. Është e vërtetë, për fat të keq, se shumë para të umetit tonë, shpenzohen për gjëra të pakuptimta dhe krejtësisht të kota, si garat me deve, blerja e pikturave të shtrenjta, transferimet e futbollistëve… dhe ato para shpenzohen nga udhëheqësit e padrejtë. Demonstratat tona duhet të jenë masive, të përhershme dhe të drejtuara kundër analfabetizmit dhe mungesës së arsimit. Të gjitha statistikat tregojnë se në shkallë globale muslimanët janë shumë mbrapa në këtë sferë të jetës. Sot nuk kanë asnjë universitet të vetëm që do të renditej në 500 më të mirët në botë për nga cilësia.

Detyra jonë është që ta dëgjojmë fjalimin e Omerit dhe të kapemi pas xhematit, pas bashkimit, të kapemi për litarin e Allahut, sepse pa këtë unitet nuk ka forcë, kurse pa xhemat dhe pa bashkim nuk ka as mëshirë të Allahut. Çdo ndarje e jona, çdo shkelje e bashkësisë sonë islame, çdo aktivitet jashtë xhematit, çdo kthim i shpinës së muslimanit ndaj njëri-tjetrit shkon në favor të armiqve. E gjithë kjo na bën të dobët, në fakt, na bën të paaftë për të mbrojtur veten dhe na çon drejt poshtërimit dhe humbjes.

Omeri (Allahu e mëshiroftë), nuk kishte as pallate, as dhoma luksoze, as pasuri dhe as thesare. Ai dhe bashkëkohësit e tij e kishin Islamin. Ai i ngriti dhe u dha forcë. A ka ndonjë kuptim të demonstrojë i pafuqishmi? Ndoshta do të ishte më e dobishme, t’i kthehemi vetes, ta ndryshojmë me nxitim brendinë tonë, ditë pas dite të forcohemi e të fuqizohemi, dhe në këtë mënyrë, të arrijmë që më në fund qendrat e fuqive të mëdha të sotme, kur të vendosin diçka për ne, të na pyesin edhe neve.

O Zoti i Plotfuqishëm, na bëj që paria jonë, dhe të gjithë ne, ta shikojmë dhe ta ndjekim Omerin (r.a.).

O Allahu i Plotfuqishëm na udhëzo në rrugën e drejtë!

O Zoti ynë, me përulësi të lutemi t’i shpëtoshë vëllezërit dhe motrat tona në Palestinë.

O Zoti i mëshirshëm, bëj që të marrin fund vuajtjet e tyre, të cilat po zgjasin me dekada.

O Allah, bëj që fëmijët e Palestinës të jenë vetëm fëmijë dhe jo viktima të terrorit. Bëj që nënat t’i rrisin fëmijët e tyre të lumtur dhe jo t’i numërojnë plumbat në trupin e tyre.

O Allahu i Plotfuqishëm, bëj që hipokritët të cilët janë në gjendje të ndihmojnë, që më në fund t’i hapin sytë dhe ta bëjnë këtë.

O Sundimtar i drejtë, bëje Palestinën një oazë paqeje dhe Xhenet në këtë botë. Amin!

Hatib: Izet ef. Čamdžić, 03.11.2023.

Përshtati në shqip: Miftar Ajdini

(Islampress)

NA NDIQ NË FACEBOOK

Portali Zyrtare u themelua nga një grup gazetarësh të rinjë në vitin 2018. Të motivuar nga nevoja për lajme të shpejta dhe të vërteta, në Maqedoni, ndër shqiptarë dhe për shqiptarët – Zyrtare nuk ishte veçse një kërkesë e kohës. Kontakt e-mail: [email protected]