Sport
(VIDEO) Tragjedia e Duamenës kujton rastin e Nuabuezes, dy vite më pare e kthyen në fushë pas kolapsit
Rafel Duamena regjistrohet si futbollisti i parë që pëson një goditje fatale gjatë një ndeshje në elitën e futbollit shqiptar. Gjithsesi në të shkuarën ka pasur lojtarë që kanë pasur probleme të ngjashme duke pësuar gjendje të fikti në fushë, por që kanë kaluar pa pasoja. I freskët është rasti i sulmuesit të Laçit, Kirian Nuabueze, gjatë ndeshjes së Kupës që kurbinasit luanin në shtëpi ndaj Partizanit.
Pikërisht bëhet fjalë për ndeshjen çerekfinale të Kupës së Shqipërisë mes Laçit dhe Partizanit, e zhvilluar më 17 mars 2021, është shoqëruar me momente paniku. Në minutën e 12-të të takimit Nuabueze mbeti i shtrirë në fushë për disa çaste në një kohë kur nuk pati asnjë kontakt me kundërshtarët.
Menjëherë të dy stafet e skuadrave u futën në fushë dhe i dhanë ndihmën e parë futbollistit nigerian me pasaportë amerikane. Në fushë u fut edhe ambulanca. Gjithsesi pas pak çastesh Nuabueze rimori veten dhe u rikthye në fushën e lojës. Edhe Nuabueze kishte të shkruar në kartelën e tij mjekësore problemet me zemrën, por fatmirësisht nigeriani ia kaloi pa probleme./Panorama/