RELIGJION
Si mund të qesh dhe të flejë muslimani, derisa Palestina është nën okupim!?
“I lavdëruar qoftë Ai që e mbarti robin e Tij (Muhamedin) në një pjesë të natës prej Mesxhidi Haramit (prej Qabes) gjer në Mesxhidi Aksa, rrethinën e së cilës Ne e kemi bekuar, (ia bëmë këtë udhëtim) për t’ia treguar atij disa nga argumentet Tona. Ai, me të vërtetë, dëgjon çdo gjë dhe sheh çdo gjë.” (el-Isra, 1)
Le t’i dërgojmë salavat dhe selam të dërguarit të fundit dhe të dashurit të Allahut Muhamedit (savs), shokëve të tij, familjes së tij dhe të gjithë atyre që jetuan dhe vdiqën me besim në zemrat e tyre.
I dashuri xhemat! Tema e hutbes së sotme është: “Si mund të qesh dhe të flejë muslimani, derisa Palestina është nën okupim!?”
Për shkak të rëndësisë së tij, Kudsi (Jerusalemi) ka qenë skenë e konflikteve dhe luftërave të ndryshme gjatë historisë. Ai është qytet i shenjtë për Islamin, për Krishterimin dhe për Judaizmin.
Në Jerusalem gjendet xhamia e xhenjtë e quajtur Xhamia el Aksa. Ajo është xhamia e tretë më e rëndësishme në Islam. Në fillim të Islamit, kur falshin namaz, muslimanët ktheheshin në drejtim të Jerusalemit, pra, në drejtim të xhamisë el Aksa, e cila më vonë ndryshoi, kështu që sot ne kthehemi në drejtim të Mekës, pra, në drejtim të Qabesë. Gjithashtu, ky është vendi i Israsë dhe Miraxhit.
Haremi i xhamisë është i rrethuar me mure të vjetra, për të cilat hebrenjtë besojnë se janë mbetjet e tempullit të Solomonit (Sulejmanit a.s.) Një pjesë e atij muri njihet sot si Muri i Vajtimit, vend i shenjtë për hebrenjtë. Hebrenjtë besojnë se në ato mure, pra, në vendin ku sot është Xhamia el Aksa, do të ndërtohet Tempulli i tretë – tempulli i kohës së fundit. Dhe për ta ndërtuar këtë tempull (sipas tyre), xhamia el Aksa duhet të rrënohet!
Në Jerusalem ndodhet edhe Bazilika e Varrit të Shenjtë, ku të krishterët besojnë se është varri i Jezusit, gjë që e bën këtë qytet jashtëzakonisht të rëndësishëm edhe për të krishterët.
Të theksojmë se feja jonë na mëson se Jezusi, do të thotë, Isai (a.s.) as nuk u vra e as nuk u kryqëzua, por Allahu i Lartësuar e shpëtoi duke e ngritur dhe do ta zbresë para fundit të botës.
Jerusalemi është qyteti ku kanë vepruar shumë pejgamberë të Allahut, qyteti të cilin e kanë sunduar kenanitët, babilonasit, bizantinët… por kthesa më e madhe në historinë e Jerusalemit ndodhi kur u mor nga ushtria muslimane në vitin 637, e udhëhequr nga halifi i drejtë Omer ibnul-Hattabi.
Po them e mori dhe nuk po them e pushtoi ushtria muslimane? Sepse Sofroniusi, peshkopi i Jerusalemit, e ftoi personalisht Omerin që të shkonte dhe ai t’ia dorëzonte çelësat e qytetit, gjë që edhe ndodhi. Pasi që Omeri hyri në qytet, u lidh një marrëveshje paqeje, e njohur si “Pakti i Omerit“, ku thuhet:
“Me emrin e Allahut, Mëshiruesit, Mëshirëbërësit! Kjo është nga robi i Allahut Omer ibnul-Hattabi, sundimtari i besimtarëve për banorët e Ilajes. Ai ju garanton atyre siguri mbi jetën e tyre, mbi pronat, kishat dhe mbi kryqet e tyre, e gjithashtu, edhe mbi të gjithë qytetarët, të shëndetshmit dhe të sëmurët. Kishat e tyre nuk do të rrënohen, nuk do të zhvendosen apo reduktohen në hapësirën ekzistuese, as nuk do të dëmtohen kryqet apo pronat e tyre. Ata nuk do të detyrohen ta braktisin fenë e tyre dhe askush prej tyre nuk do të trajtohet padrejtësisht. Asnjë hebre nuk do të lejohet të jetojë në Ilaje. Banorët e Ilajes do ta paguajnë xhizjen, me kushte të njëjta sikurse të banorëve të el-Medainit. Të gjithë romakët do të dëbohen nga qyteti i tyre. Ata që shpërngulen do të ruhen, së bashku me pronat e tyre, derisa të arrijnë në destinacion të sigurt. Ata që do të mbesin do të mbrohen dhe do të paguajnë sikurse populli i Ilajes…” Në përmbajtjen e kësaj shkrese ndodhet betimi i Allahut, premtimi i Pejgamberit të Tij dhe i halifit të besimtarëve… Dëshmitarë janë: Halid bin Velidi, Amër bin Asi, Abdurrahman bin Avfi dhe Muavije bin Ebi Sufjani. E shkruar në vitin e 15 sipas H. (viti 637).”
Kështu njerëzit e feve të ndryshme jetuan në paqe deri në vitin 1099, kur Jerusalemi u pushtua nga kryqtarët.
Është regjistruar se atëherë kryqtarët e plaçkitën dhe shkatërruan Jerusalemin dhe kryen krime të ndryshme kundër jo të krishterëve dhe shpesh edhe kundër vetë të krishterëve. Kaluan vite e vite, gjaku rridhte e rridhte, njerëzit vuanin e vuanin, derisa u shfaq komandanti ushtarak i quajtur Salahudin Ejjubi.
Salahudini udhëhoqi shumë beteja në të cilat pësoi disfata të rënda. Salahudini u mund aq shumë në betejën e Ramles, saqë mbeti të luftonte kundër kryqtarëve me vetëm pesë kalorës të tij. Në atë betejë, Salahudini u plagos rëndë pasi një ushtar kryqtar e goditi me shpatë në kofshë. Kali i tij iku me Salahudinin e plagosur nga fusha e betejës, ndërsa pjesa tjetër e ushtrisë së tij të shkatërruar iku në Kajro.
Por komandanti i famshëm musliman nuk u dëshpërua për gjendjen e tij dhe as nuk qau për ushtrinë e tij, e cila pësoi një nga disfatat më të rënda.
Salahudini përsëri kishte mobilizuar dhe ngritur një ushtri kundër kryqtarëve dhe përsëri ishte mundur në Afule.
A ra në dëshpërim Salahudini pas kësaj? Jo, në asnjë mënyrë! Ai as atëherë nuk u dorëzua. Ai u detyrua të nënshkruante një armëpushim, por ishte i bindur për suksesin dhe fitoren përfundimtare.
Salahuddin Ejjubi vazhdoi të luftonte kundër kryqtarëve, të fitonte dhe të humbiste, derisa Allahu ia mundësoi ta realizonte ëndrrën e tij dhe t’i shijonte frytet e ëmbla dhe të shijshme të fitores së lavdishme në Betejën e Hitinit (3-4 korrik 1187), kur e çliroi Kudsin, pra Jerusalemin, nga kryqtarët.
Pas pushtimit të Jerusalemit, Salahudini u soll në mënyrë njerëzore dhe me dinjitet ndaj jomuslimanëve, ngjashëm sikur që kishte vepruar edhe Omeri (r.a.) më parë.
Ditët e fundit të jetës së tij Salahudini i kaloi në Damask. Kur ai vdiq, njerëzit ishin në zi të madhe. Edhe muslimanët edhe jomuslimanët vajtonin dhe qanin. Historia shënon se pas vdekjes së Pejgamberit (savs), vdekja e Salahudinit ishte humbja e dytë më e madhe për muslimanët.
Sot, në këto kohë të vështira për Kudsin, për Palestinën, shumë muslimanë e kujtojnë Omerin dhe Salahudinin dhe bëjnë thirrje për kthimin e tyre për ta çliruar Tokën e Shenjtë.
Përse e bëjnë këtë? Për shkak të frikës së tyre. Një poet ka thënë: “Sa herë do ta shqetësoni Salahudinin për shkak të frikës suaj?” Dhe pastaj poeti thotë me një nënqeshje: “A ka ardhur koha që të gjallët të kërkojnë ndihmë nga të vdekurit?”
Muslimanët e sotëm jetojnë në të kaluarën, duke harruar të tashmen dhe të ardhmen. Muslimanët e sotëm vetëm flasin dhe kujtojnë paraardhësit e tyre të lavdishëm dhe askush nuk aspiron të jetë si ata.
Askujt nuk i intereson, ose fare pak, se si kanë qenë paraardhësit tanë, por si jemi ne. E tashmja, por edhe e ardhmja jonë varet nga ne dhe jo nga paraardhësit tanë. Për këtë arsye, le të jemi të guximshëm, të drejtë, të vendosur, dinjitozë, fisnikë… të mos dorëzohemi dhe të mos dëshpërohemi, pavarësisht humbjeve aktuale dhe peshës së situatës. Sepse, disfata e vërtetë vjen vetëm me pesimizëm dhe dëshpërim.
Salahudin Ejjubi ka thënë: “Si mund të qesh kur Kudsi është nën okupim!? Si mundet muslimani të flejë i qetë kur Kudsi është nën okupim!?”
O Zoti ynë, me përulësi të lutemi t’i shpëtoshë vëllezërit dhe motrat tona në Palestinë.
O Zoti i mëshirshëm, bëj që të marrin fund vuajtjet e tyre, të cilat po zgjasin me dekada.
O Allah, bëj që fëmijët e Palestinës të jenë vetëm fëmijë dhe jo viktima të terrorit. Bëj që nënat t’i rrisin fëmijët e tyre të lumtur dhe jo t’i numërojnë plumbat në trupin e tyre.
O Allahu i Plotfuqishëm, bëj që hipokritët të cilët janë në gjendje të ndihmojnë, që më në fund t’i hapin sytë dhe ta bëjnë këtë.
O Sundimtar i drejtë, bëje Palestinën një oaz paqeje dhe xhenet në këtë botë. Amin!
Përshtati: Miftar Ajdini