Connect with us

Religjion

Kur të zhduket dituria – do të shfaqen ngatërresa

Published

on

Është e qartë dhe e dukshme se neve për çdo ditë po na rëndojnë gjëra dhe ngjarje, ngjarje me të cilat nuk po mund të merremi në mënyrë adekuate, për të cilat nuk kemi përgjigje dhe zgjidhje të mira. Sot, për shembull, kemi situata ku njerëzit të cilët nuk janë kompetent për punë dhe detyra të caktuara, ata i caktojnë dhe i orientojnë ata që dinë më shumë se ata – ose situata kur njerëzit me moral të dyshimtë na predikojnë se si duhet të sillemi, dhe fare nuk e shikojnë sjelljen e tyre ose të kaluarën e tyre. Ose, situatat kur njerëzit prej të cilëve pritet që të përcaktohen dhe ta ngrenë zërin kundër dukurive të caktuara negative, ata heshtin dhe nuk bëjnë asnjë koment në çdo gjë që po na ndodh, apo në çdo gjë që po na godet.

Islami na mëson se secili duhet ta bartë peshën e vet, secili duhet të përpiqet të jepë maksimumin e tij në punë dhe në detyrën të cilën e kryen, secili duhet ta jepë kontributin e tij në fushën dhe zonën që është i ngarkuar dhe përgjegjës. Sidomos janë të ngarkuar ata që dinë, ata të cilëve Allahu ju ka dhuruar dituri dhe urtësi, sepse Ai na paralajmëron në Kuran – Nuk janë të barabartë ata që dinë dhe ata që nuk dinë! (ez-Zumer, 9)

Për këtë arsye, ata që dinë, diturinë dhe aftësitë e tyre duhet t’i përcjellin tek të tjerët, dhe mos t’i përdorin vetëm për të mirën dhe promovimin e vetvetes. Dëshmia më e mirë e diturisë është që ta praktikosh atë që ke mësuar dhe t’ua mësosh të tjerëve diturinë që Allahu ta ka dhuruar, sepse në këtë mënyrë do t’i kontribuosh bashkësisë dhe shoqërisë tënde!

Muhamedi savs shpesh i është lutur Allahut të Plotfuqishëm që ta ruajë nga dituria prej së cilës nuk ka dobi. Ai shpesh e bënte këtë lutje: “O Allah, unë kërkoj mbrojtjen Tënde nga zemra që nuk është e përulur, nga lutja e cila nuk pranohet, nga shpirti i cili nuk ngopet dhe nga dituria prej së cilës nuk ka dobi.” (Tirmidhiu)

A nuk jemi të vetëdijshëm për faktin se nuk është e mirë ajo që e ruajmë vetëm për veten tonë?! E mira jonë është në atë që ne e japim dhe e ndajmë me të tjerët: “Çfarëdo ndihme të mirë që bëni, (shpërblimi) është në dobi të juaj …” (el-Bekare, 272)

Për shkak të qëndrimit tonë të papërgjegjshëm ndaj begatisë së dijes, dhe për shkak të heshtjes së të diturve, do të vijmë në situatë që të paditurit (injorantët) të vendosin për ne, do të thotë, ne do të jemi në situatën për të cilën na ka paralajmëruar Muhamedi savs, kur ka thënë: “Allahu nuk e merr diturinë duke e nxjerrë nga gjokset e njerëzve, por Allahu e merr diturinë duke i marrë dijetarët. Dhe kur të mos mbetët asnjë dijetar, njerëzit do t’i llogarisin udhërrëfyes të tyre injorantët. Njerëzit i pyesin, kurse ata u përgjigjen pa dituri, kështu e hedhin në devijim veten e tyre, por edhe të tjerët i devijojnë.” (Muslimi)

Cilat janë pasojat dhe çfarë do të ndodhë nëse vjen deri te zhdukja e dijes së vërtetë, dhe nëse shumohen pseudo shkencëtarët dhe shkencëtarët e vetë-shpallur?

Pejgamberi savs na jep përgjigjen në hadithin vijues: “Kur t’i afrohet koha skadimit të saj (në këtë botë), do të zhduket dituria, do të shfaqen ngatërresa, në zemrat e njerëzve do të futet koprracia dhe do të shumohet ‘herxhi’. ‘Po çka është ky herxhi?’ – E pyetën të pranishmit. “Vrasjet” – u përgjigj Pejgamberi savs.” (Muslimi).

Pas kësaj, a nuk na imponohet mendimi se koha të cilën po e përshkruan Pejgamberi savs në hadith është e ngjashme me kohën e tashme, e ngjashme me kohën tonë?

A nuk kemi gjithnjë e më shumë diploma dhe tituj, ndërsa gjithnjë e më pak dituri të vërtetë?

A nuk po hapen gjithnjë e më shumë universitete dhe kolegje ku pa dituri të madhe dhe pa mund merret diploma, nëpër të cilët mjafton të shëtisësh dhe i fiton titujt e ndryshëm?!

A nuk po na ndodhin, atëherë me arsye situatat që trendët dhe strategjitë ekonomike po na i hartojnë ata që në vend se të na çojnë përpara – ata na kthejnë një hap ose dy, ose edhe shumë hapa mbrapa?

Apo që negociatat dhe marrëveshjet që i lidhin disa menaxherë kushtojnë më shumë se realizimi i projekteve të tëra në vende të tjera?

Apo marrëveshjet të cilat i proklamojnë si historike – vetëm pas disa muajve vendosen në arkiva dhe mbeten vetëm shkronjë e vdekur në letër?

Ta përsërisim mesazhin e hadithit të Muhammedit savs: “Kur të zhduket dituria, do të shfaqen ngatërresa, në zemrat e njerëzve do të futet koprracia dhe do të shumohen vrasjet.”

A nuk po vërejmë se po rritet numri i njerëzve që duan të fusin konfuzion dhe mosbesim mes nesh?

A nuk është e qartë se ata që mund t’u ndihmojnë të tjerëve, ata që dora e të cilëve do të duhej të ishte lartë, vetëm për shkak të koprracisë nuk e bëjnë këtë, vetëm për shkak të koprracisë dorën e ulët – dorën e atyre që kërkojnë ndihmë, e lënë bosh.

A nuk jemi, gjithashtu, të shqetësuar seriozisht për faktin, përkatësisht, për të dhënat se numri i vrasjeve dhe vetëvrasjeve nga dita në ditë po rritet?

Të dashur vëllezër!

Nga hadithet e cituara, mund të konkludojmë se i Dërguari i Allahut, shfaqjen dhe përhapjen e shumë dukurive negative dhe harameve, të cilat janë parashenja dhe fillim i shkatërrimit dhe zhdukjes së një bashkësie, një populli, e lidh me shfaqjen e zhdukjes dhe humbjes së diturisë. Pejgamberi savs, gjithashtu, na paralajmëron që të marrim qëndrim të duhur ndaj shkencës dhe shkencëtarëve, përkatësisht, të mos lejojmë të na udhëheqin injorantët të cilët mund të na devijojnë.

Sipas një urtësie janë katër lloje të ‘ulemave, katër lloje të dijetarëve:

1. Njeriu që di dhe e di se di, d.m.th. është i vetëdijshëm për diturinë e tij. Ai është dijetar i vërtetë dhe atë duhet ndjekur!

2. Njeriu që di, por nuk e di se di – nuk është i vetëdijshëm për diturinë e tij. Ai është në gjumë, andaj zgjojeni atë!

3. Njeriu i cili nuk di dhe e di që nuk di – është i vetëdijshëm për injorancën e tij. I tilli ka nevojë për udhëzim, andaj udhëzone – ndihmone atë.

4. Njeriu që nuk di, por mendon se di. Ai është injorant i vërtetë, largohuni prej tij!

Prandaj, ne duhet të kultivojmë qëndrim të drejtë ndaj diturisë, të mësojmë dhe të tjerëve t’u mësojmë njohuri të dobishme, të përparojmë dhe diturinë ta përcjellim te më të rinjtë, t’i respektojmë të diturit – ata të cilët për shkak të praktikës dhe fjalëve të tyre e meritojnë mirënjohjen dhe respektin tonë, dhe të cilët janë të obliguar – që ndaj çështjeve aktuale dhe ngjarjeve të ardhshme të përcaktohen dhe të na rekomandojnë neve, duke u bazuar në njohuritë dhe përvojën e tyre, se si të qëndrojmë dhe të përballemi me dukuritë të cilat na i sjell koha.

O Allahu i dashur, na e shto diturinë, na ndihmo që të jemi prej atyre që dinë dhe që ajo dituri të jetë e dobishme për ne dhe për të tjerët!

Na mëshiro neve, na i fal mëkatet tona dhe na jep të mira për këtë botë dhe për botën tjetër! Amin!

Përshtati: Miftar Ajdini

NA NDIQ NË FACEBOOK