Connect with us

Lajme

Kokëfortësia e Kasamit për himnin shqiptar acaron nacionalistët maqedonas

Publikuar

më

Është shumë e rëndësishme që himni të pasqyrojë realitetin në vend, gjegjësisht të mos i referohet vetëm maqedonasve, por edhe grupeve tjera etnike, tha dje për TV Sitel, Bilall Kasami, kryetar i Lëvizjes Besa.

Ai është i vendosur se në asnjë rast nuk i keqpërdor ndjenjat etnike të bashkëqytetarëve për të marrë, siç tha, më shumë vota.

“Por unë besoj dhe ky është realiteti. Përderisa himni kombëtar i referohet maqedonasve si etni, shqiptarët nuk mund të ndihen rehat dhe këtë nuk e them për herë të parë. Që shqiptarët ta ndjejnë himnin si himnit e tyre, atëherë duhet edhe të jenë pjesë përbërëse e tij. Ne nuk jemi kundër faktit që himni u referohet maqedonasve, por duhet t’u referohet edhe shqiptarëve. Ne kërkojmë që jo vetëm himni, por të gjitha simbolet e shtetit të pasqyrojnë realitetin etnik. Flamuri është shembull klasik, edhe pse për mendimin tim është neutral në aspektin etnik, por për shkak të procesit se si u aprovua, i imponuar në negociatat me Greqinë, ka rezistencë midis etnive të tjera për përdorimin e tij si flamur shtetëror. Nëse të gjithë duhet t’i respektojmë simbolet, atëherë shteti duhet të respektojë qytetarët e tij dhe të pasqyrojë karakterin multietnik. Këtë e kam thënë publikisht si opozitë, por nesër nëse do të jem pjesë e ndonjë kombinimi, do të doja që të ulemi dhe të diskutojmë seriozisht për këto situata qetë, publikisht dhe sinqerisht, pa ndonjë sfond apo prapaskenë, në mënyrë që të gjitha bashkësitë etnike ta ndjejnë shtetin si pjesë e tyre dhe kontribuojnë në të”.

Siç tha Kasami, përderisa himni i referohet maqedonasve si bashkësi etnike, e jo qytetarëve, shqiptarëve, turqve, ne do t’i referohemi himnit tonë etnik.

“Dua që të zgjidhet me ligj”. Ka dy mundësi: ose himni kombëtar dhe simbolet e tjera të pasqyrojnë realitetin ose nëse këndohet himni që maqedonasit e ndjejnë si të tyren, atëherë në komunat ku shumica janë shqiptarë do të këndohet himni që shqiptarët e ndjejnë si të tyren. ”, tha Kasami.

E këto pretendime të Kasamit kanë acaruar disa nacionalist maqedonas që në rrjetet sociale kanë shkruar se Kasami nuk duhet të cënoj himnin maqedonas.

NA NDIQ NË FACEBOOK