Lajme
Rikthehet së shpejti në Shqipëri pas shumë vitesh shfaqja më e madhe muzikore

Shfaqja më e madhe muzikore “X Factor” pritet të rikthehet së shpejti në Shqipëri.
Kështu ka bërë të ditur moderatorja e këtij programi, Alketa Vejsiu përmes një postimi të bërë në Instagram.
Ajo së bashku me Vera Grabockën janë edhe një herë pas këtij spektakli, përmes të cilit të rinjtë do të kenë mundësinë të zbulojnë talentin e tyre.
“X FACTOR SHQIPËRIA ËSHTË BACKKKK…
Jemi shumë të lumtur që sjellim në ekran pas disa vitesh mungesë këtë platformë të jashtëzakonshme muzikore që do të zbulojë talente të reja në muzikë!
Pas shumë vitesh mungesë nga ekranet shqiptare të programeve “Talent Show”, ju presim kudo që të jeni, për të zbuluar superyjet e reja të muzikës dhe skenës shqiptare!
“X Factor” është një Produksion Gjigant, është një shkollë e vërtetë muzikore dhe televizioni; talentet trajtohen në mënyrën më spektakolare dhe performojnë në finalen e “live show” pranë idhujve të tyre, njerëzve të afirmuar të skenës! X Factor është muzikë, është gëzim, është një shfaqje, është emocion, është një konkurrim, është energji, është një mundësi për të transformuar jetën tuaj përgjithmonë, është një garanci suksesi për karrierën tuaj artistike, është një ëndërr e realizuar, është një “ikje” nga jeta e zakonshme, dhe integrim i menjëhershëm në jetën artistike! Kushdo që ka një ëndërr dhe dëshiron të njihet nga bota është i mirëpritur të vijë në audicionet e produksionit në Shkollat e Muzikës në qytetet përkatëse!
10 vjet më parë, sjellja e Edicionit të Parë të X Factor në Shqipëri ishte një sfidë për mua personalisht. Pas meje kisha forcën e @veragrabocka, me të cilën punoj dhe kam ndarë ëndrrat e jetës për 24 vjet! Këtë ëndërr duam ta ndajmë me të gjithë ju dhe fuqinë e Tv Klan që beson në fuqinë e Talentit!
Një brigadë profesionistësh do të punojnë që ju të shkëlqeni! Çfarë të themi? Paci fatin e Dua Lipe.
Përtej argëtimit, ky është një format i vlefshëm sepse ka një mision! Talentit i jep habitatin që të “shpërthejë”, “emocion”, “frymëzojë”.
Audicionet e prodhimit do të mbahen në këto data:
– 19 tetor, Shkodër
– 20 tetor, Korçë
– 23 tetor, Vlorë
– 24 tetor, Durrës
– 25 tetor, Elbasan
– 26 tetor, Prishtinë
– 27 tetor, Shkup
– 31 tetor, Tiranë















