Kosovë
Prokuroria në Beograd “i nxjerr të palarat” Radoiçiç: Bleu armë nga…

Udhëheqësi i sulmeve në veri të Kosovës, Milan Radoiçiç është vënë në pranga nga policia e Serbisë e cila i ka komunikuar dhe masën e ndalimit 48 orë, informon ministria e Brendshme e Serbisë. Ai mohoi sot se i kishte kryer veprat penale që i ngarkoheshin, përkatësisht: shoqërim për kryerjen e veprave penale, prodhim, posedim, mbajtje dhe trafikim të paligjshëm të armëve të zjarrit dhe lëndëve shpërthyese dhe krime të rënda kundër sigurisë së përgjithshme.
Pasdite, siç ishte paralajmëruar nga MPB-ja, Radoiçiç është dërguar në Prokurorinë e Lartë Publike në Beograd dhe është kontrolluar banesa dhe objektet tjera. Prokuroria e lartë në Beograd konfirmoi se Radoiçiç është marrë në pyetje sot, raporton agjencia e lajmeve Kossev.
Prokuroria thotë se ai akuzohet për blerjen e armëve nga Bosnja dhe Hercegovina për nëntë muaj këtë vit, të cilat më pas i ka transportuar dhe ruajtur në Kosovë, me qëllim që në fund të 24 shtatorit me veprimet e tij të rrezikohen banorët e fshatit Banjskë.
“Sipas urdhrit për hetimin, Radoiçiç akuzohet se nga janari 2023 deri më 24 shtator ka blerë armë, municione dhe mjete shpërthyese me fuqi të madhe shkatërruese nga Tuzla, Federata e Bosnjës dhe Hercegovinës, të cilat janë dorëzuar në territorin e Qyteti i Beogradit, përgjatë shtrirjes së Bubanj Potokut – Vrçin, dhe të cilat më pas i ka transportuar dhe ruajtur në vende të pacaktuara në territorin e Kosovës dhe Metohisë, ku i ka fshehur në ndërtesa dhe pyje të braktisura, kështu që si kryetar i një grupi me disa persona të panjohur, me veprim të përbashkët dhe përgjithësisht të rrezikshëm, më 24 shtator ka shkaktuar rrezik për jetën e njerëzve në qytetin e Banjskës në territorin e AP KiM”, tha Prokuroria e Lartë./gazeta-shqip/



















