Lajme
Huqje apo e qëllimshme? – Komuna e Podujevës iu vë rrugëve emra të asamblistëve të VV’së

“Çudira nga Llapi”, rrugët në qytet dhe në disa fshatra në Podujevë të cilat kanë filluar të ndërtohen me elemente betoni, në kontratën e nënshkruar figuron se janë të emëruara…
“Çudira nga Llapi”, rrugët në qytet dhe në disa fshatra në Podujevë të cilat kanë filluar të ndërtohen me elemente betoni, në kontratën e nënshkruar figuron se janë të emëruara me emrat e disa asamblistëve të Lëvizjes Vetëvendosje, shkruan Insajderi.
Në Komunën e Podujevës me datën 19.09.2023 është nënshkruar kontrata për “Ndërtimin e rrugëve me elemente betoni (ndërtimi i rrugëve me kubëza betoni, ndërtimi i kalesave të vogla në trotuare, ndërtimi i urave të vogla për këmbësor etj) në qytet dhe fshatra”.
Vlera e përgjithshme e kësaj kontrate është 458 mijë e 371 e 05 euro të cilën e ka fituar kompania NNT BINI SH.P.K. Shtedim.
Por, lista e rrugëve të cilat do të ndërtohen me elemente betoni, përbëhet me disa çudira.
A ja huçi Komuna e Podujevës në emërtimin e saktë të rrugëve?
Disa rrugë nga kjo Komunë e udhëhequr nga Kryetari Shpejtim Bulliqi, në kontratë janë emëruar me emra të asamblistëve të Lëvizjes Vetëvendosje në Podujevë.
Një rrugë në fshatin Shajkofc të Podujevës, në listën për ndërtimin me elemente betoni, në kontratën e dhënë e ka përfshirë edhe rrugën të cilën e ka emëruar me emrin e asamblistit të LVV-së Haki Rudarit e titulluar “Ndërtimi i rrugës Haki Rudari Shajkofc”.

Tutje ka vazhduar edhe me asamblistin poashtu i Lëvizjes Vetëvendosje Artrit Mulliqin.
Emërim i një rruge e cila nuk ceket a është në ndonjë fshat apo qytet të Podujevës, është titulluar “Ndërtimi i rrugës Artrit Mulliqi”.

Gazeta Insajderi ka kontaktuar me asamblistin Haki Rudarin, i cili tha se nuk ka rrugë të emëruar në emër të tij, dhe nuk e di se si ka ndodhur ky lëshim.
Tutje Rudari theksoi se ai ka dhënë propozime për asfaltimin e rrugëve në Shajkofc, duke shtuar se drejtoria përkatës e ka një pjesë të përgjegjësisë për këtë lëshim.
“Duhet te deklarohem publikisht, me përgjegjesi te plotë e them se nuk ka rrugë të emertuar me emrin tim Haki Rudari, ndërsa unë vetëm kam dhënë propozime për asfaltim të rrugëve në fshat, por madje asnjë nga ato propozime nuk është në lagjen Rudari, por si ka ardh ky lshim për besë nuk e di, edhe drejtorin e drejtorisë edhe ai e ka një pjesë të përgjegjësisë, por po e them sërish që nuk ka rrugë të emërume Haki Rudari”, tha ai për Insajderin.
Gjithashtu, Gazeta Insajderi ka kontaktuar edhe me Artrit Mulliqin këshilltar komunal në Podujevë nga Lëvizja Vetëvendosje i cili poashtu e cilësoi si gabim teknik të zyrtarit komunal.
“Rruga për të cilën po flisni është një kërkesë në mesin e dhjetra kërkesave që i kam bërë për qytetarët dhe familjet në nevojë në Komunën e Podujevës. Kur e kam bërë kërkesën, si duket në drejtori e kanë evidentuar me emrin tim dhe pas inspektimit dhe vendosjes për ta shtruar rrugen per shkak te nje gabimi teknik të zyrtarit komunal është evidentu emri im si parashtrues i kësaj kërkese për qytetarët! Pra ky është vetëm një gabim teknik nga ana e zyrtarit komunal dhe asgje me shume! Me të mira!”, tha Artrit Mulliqi për Insajderin.
Gazeta Insajderi ka tentuar të kontaktojë edhe me Komunën e Podujevës dhe Drejtorinë për Shërbime Publike, por që deri në publikim e këtij teksti nuk kanë kthyer përgjigjje. /Gazeta Insajderi




















