Lajme
Demiri: Vazhdon pasurimi i familjarëve të BDI-së, i “përkëdheluri” i radhës Fatmir Besimi

Sekretari gjeneral i Lëvizjes BESA, Abdush Demiri përmes një statusi në rrjetin social Facebook ka theksuar se BDI po thyen rekorde në investime familjare duke përmendur faktin e fundit të gruas së ministrit, Fatmir Besimi e cila për më pak 1 vit ka investuar 220 mijë euro.
“BDI po thyen rekorde në investime familjare me mjete të dyshuara nga keqpërdorimi i detyrave zyrtare. Pas familjes së Ali Ahmetit dhe skandalit “Soravia”, tani del në shesh i “përkëdheluri” i BDI-së dhe pushtetit, ministri i Financave, Fatmir Besimi.
Mediat zbulojnë se 200 000 euro investime nga bashkëshortja e Fatmir Besimit janë bërë për më pakë se një vit.
Edhe pse ministri dhe bashkëshortja e tij i kanë rrogat e majme, përsëri për një vit nuk kursehen 200 000 euro për investime në aksione, dhe në blerjen e veturës luksoze të modelit të fundit Audi Q5 në vlerë prej 61 000 €.
Pasi institucionet e BDI-LSDM po ngulfasin dhe i bëjnë obstruksione Komisionit për anti-korrupsion, dhe se prokuroria publike nuk po reagon për zbulimet që po i bënë komisioni për anti-korupsion, është më se e nevojshme ndrrimi i prokurorit Jovevski dhe reformë e thellë dhe urgjente në prokurori dhe gjygësorë, pasi që janë shëndruar në mbrojtës të krimit dhe korrupsionit që po bëjnë funksionarët e qeverisë LSDM-BDI”, ka shkruar Demiri.

















