Bota
7 700 të vdekur, mjerim dhe kaos kudo: Gaza është kthyer në një gërmadhë, çfarë bombash po përdor tani Izraeli

Të dhënat më të fundit tregojnë se numri i të vdekurve ka arritur në mbi 7 700 në Gaza që prej 7 tetorit, ndërsa mijëra të tjerë janë të humbur dhe dyshohet se trupat janë nën rrënojat e godinave të shembura nga bombardimet.
Sulmet ajrore vazhdojnë të jenë pjesa kryesore e fushatës ushtarake të Izraelit në Gaza dhe nuk ka asnjë shenjë që kjo të ndryshojë.
Gjatë natës, ushtria izraelite tha se rreth 100 avionë “shkatërruan qindra objektiva” në Gaza.

Forcat Ajrore izraelite lëshojnë postime të shpeshta në mediat sociale që tregojnë avionë të përdorur në këtë luftë, kryesisht F-16 të prodhuar nga SHBA; F-15C Eagles dhe F-15E Strike Eagles – të gjithë të pajisur me një shumëllojshmëri armësh.
Këto përfshijnë bombat JDAM të cilat drejtohen me GPS. Këto bomba kanë një saktësi deri në disa metra.
Në përgjithësi, këto lloje armësh mund të ngarkohen paraprakisht me koordinatat e objektivit dhe çdo JDAM në avion është në gjendje të godasë një objektiv të ndryshëm. Pra, në një mision, katër JDAM nga një avion mund të godasin katër vende të ndryshme. Forma të tjera të armëve inteligjente ka të ngjarë të përdoren gjithashtu.
Ushtria izraelite nuk thotë kurrë se çfarë armësh specifike përdoren për ndonjë objektiv të caktuar, por ka të ngjarë që armët në avion që shohim në fotot dhe videot e publikuara nga ushtria izraelite janë armët që ata përdorin në sulme.
















