Shëndetësi
Si ndikon puna e zorrëve dhe shëndeti i mikrobiomës në zhvillimin e disa sëmundjeve autoimune
Njerëzit që jetojnë me artrit inflamator kanë florë unike, të ndryshme të zorrëve në krahasim me njerëzit e shëndetshëm
Puna e zorrëve varet nga shëndeti dhe qëndrueshmëria e mikrobiomës dhe po bëhen gjithnjë e më shumë kërkime që thonë se shëndeti ynë i plotë, imuniteti dhe një sërë procesesh të nevojshme nisin nga zorrët.
Studimet e reja tani po zbulojnë një lidhje “të ndërlikuar” midis mikrobiomës dhe sëmundjeve inflamatore autoimune, transmeton Telegrafi.
Si lidhen sistemi tretës, mikrobioma e zorrëve dhe proceset inflamatore?
Trakti ynë tretës është përgjegjës për tretjen e substancave të ngurta dhe të lëngshme (karbohidratet, lipidet dhe proteinat), në mënyrë që trupi t’i absorbojë ato si lëndë ushqyese dhe të përdorë energjinë, rritjen e qelizave dhe rigjallërimin dhe rigjenerimin e tyre.
Një sistem i shëndetshëm tretës është thelbësor për ruajtjen e forcës, stabilitetit imunitar dhe shëndetit të përgjithshëm.
Hulumtimet e deritashme mbi këtë dhe tema të ngjashme kanë vërtetuar lidhjen midis një mikrobiome të dëmtuar të zorrëve dhe proceseve inflamatore në trup.
Tani, shkencëtarët janë të interesuar për sëmundjet inflamatore autoimune, si dhe për lidhjen, nëse ka, me mikrobiomën.
Inflammatory Arthritis Microbiota Consortium kreu një studim me 440 pjesëmarrës për të përcaktuar dhe kuptuar më mirë lidhjen midis artritit inflamator dhe ndryshimeve në mikrobiotën e zorrëve.
Ndryshime të konfirmuara në florën e zorrëve tek njerëzit me artrit
Shkencëtarët kanë zbuluar një lidhje midis disa ndryshimeve në florën e zorrëve dhe ashpërsisë së sëmundjeve të ndryshme inflamatore. Nga 440 pjesëmarrësit, 221 të rritur u diagnostikuan me forma të ndryshme të artritit (artrit inflamator dhe psoriatik, spondilit ankiloz).
Në pacientët me artrit inflamator, mikrobioma e zorrëve ishte e ndryshme, me përqendrime më të larta të baktereve potencialisht të dëmshme si Escherichia coli dhe Ruminococcus gnavus. Gjithashtu, u zbulua një përqendrim më i ulët i baktereve të dobishme si Faecalibacterium prausnitzii dhe Roseburia intestinalis.
Përfundimi është se njerëzit që jetojnë me artrit inflamator kanë një florë unike, të ndryshme të zorrëve, të ndryshme në krahasim me njerëzit e shëndetshëm. Studimi ekzaminoi efektet funksionale të këtyre ndryshimeve në mikrobiotën e zorrëve dhe zbuloi se ato ndikojnë në mënyrën se si zorra thith hekurin dhe vitaminat B nga dieta.
– Disa nga këto ndryshime, si ato për metabolizmin e vitaminës B, mund të përfaqësojnë mekanizma për parandalimin afatgjatë, reduktimin e rrezikut ose trajtimin. Për shembull, mund të jetë sekuestrimi mikrobik i hekurit gjatë anemisë së lidhur me artritin – sipas ekipit të shkencëtarëve.
A është i vlefshëm ky korrelacion edhe për sëmundje të tjera inflamatore autoimune?
Autorët, megjithatë, theksojnë se gjetjet e tyre nuk vërtetojnë një lidhje shkakësore. Ata vunë në dukje se kjo është veçanërisht e rëndësishme për lidhjen midis baktereve të zorrëve dhe inflamacionit. Sepse, siç thonë ata, shumë ndryshime në baktere mund të ndodhin si reagim ndaj një çrregullimi të sistemit imunitar, dhe jo anasjelltas.
Njohuritë aktuale rreth funksionit të mikrobiomës së zorrëve në artritin inflamator janë përmirësuar nga ky studim. Studiuesit pajtohen se informacioni i mbledhur mund të jetë një drejtim i rëndësishëm drejt disa trajtimeve të ardhshme të bazuara në mikrobiomën. Ata gjithashtu paralajmërojnë se nevojiten më shumë kërkime për të kuptuar plotësisht proceset që qëndrojnë në themel të këtij korrelacioni, si dhe për të krijuar terapi të përshtatura për të përmirësuar shëndetin e zorrëve tek njerëzit me këto sëmundje. /Telegrafi/
The post Si ndikon puna e zorrëve dhe shëndeti i mikrobiomës në zhvillimin e disa sëmundjeve autoimune appeared first on Telegrafi.