Lajme
Fronti opozitar i shqetësuar për korridoret 8 dhe 10 D: BDI keqpërdor edhe SHBA-të

Para disa ditëve ishim dëshmitarë të një teatri të ri nën regjinë e BDI-së, ku pamë tek përvetësohet dhe familjarizohet projekti strategjik i korridoreve 8 dhe 10. Kështu ka reaguar sot i ashtuquajturi fronti opozitar i përbërë nga Lëvizja Besa, Alternativa dhe Lëvizja Demokratike në lidhje me ndërtimin e korridoreve 8 dhe 10 D, transmeton Portalb.mk.
Nga atje thonë se i gëzohen u gëzohen projekteve të tilla, por se nuk mund të rijnë heshtur kur në çdo rast Artan Grubi dhe BDI keqpërdorin pushtetin, duke prodhuar e mbuluar skandale të reja korruptive për të përfituar nga çdo anë.
“Sikur të mos mjaftojë fakti që Artan Grubi keqpërdor rolin e tij për të personalizuar suksesin, sikur të mos mjaftojë fakti që në mes të projektit vlon konflikti i interesit, duke qenë se kompanitë EUROVIA dhe AK INVEST janë donatorët më të mëdhenjtë të BDI-së, ai madje keqpërdor prezencën e Ambasadores për të mbuluar skandalet e tilla korruptive”, tha Fadil Zendeli, deputet i Lëvizjes Besa.
Ata pyesin se, a i tregoi Artan Grubi Ambasadores së SHBA-ve, Anxhela Ageler, se e keqpërdor prezencën e saj për të mbuluar skandale të reja me donatorë partiak të BDI-së?
“Sa milionë euro do të derdhen në llogaritë e ‘’Eurovia’’ dhe ‘’Ak Invest’’? Sa nga ato mjete do të derdhen në llogarinë e BDI-së e sa në xhepin e disa klientelistëve të instaluar përreth Ali Ahmetit? A ka gjetur mënyrë Artan Grubi që të fitojë provizion edhe kur do të jetë në opozitë? Pse Artan Grubi përgjegjësinë për mëkatet e tij personale ia hedh kompanisë Amerikano-Turke, Bechtel dhe Enka?”, thonë nga fronti opozitar.
Ata shtuan se BDI ka arritur në atë fazë ku tashmë keqpërdor edhe partneritetin strategjik me SHBA-të për pasurimin personal të këtij subjekti dhe funskionerëve të tij.

















