Kosovë
Analisti Maliqi tregon pse sulmuesit serbë zgjodhën Manastirin e Banjskës si vendqëndrim

Analisti politik Shkëlzen Maliqi ka bërë një analizë për sulmin e djeshëm ndaj Policisë së Kosovës nga një grup i armatosur në Banjskë të Zveçanit.
Ai madje ka analizuar edhe faktin se pse u zgjodh pikërisht Manastiri i Banjskës si vendqëndrim për këta persona të armatosur, raporton Zeri.info.
Maliqi thotë se ky është një skenar që është parë edhe më parë, pasi sipas tij terroristët kishin qëllim që në Manastir të ndodhte një masakër dhe ta paraqiste Policinë e Kosovës si terroriste.
“Nuk është skenar i panjohur. Kështu ka qenë e organizuar masakra në kazermën e Paraqinit, ku u vranë në gjumë pesë ushtarë të armatës jugosllave dhe si vrasës u akuzua shqiptari Aziz Kelmendi, i cili u gjet i vrarë në një pyll afër kazermës dhe u tha se e ishte vetëvrarë. Pas rastit të Paraqinit Sllobodan Milisheviqi mori pushtetin e plotë në Serbi dhe nisi projektin e shkatërrimit të Jugosllavisë për ta krijuar Serbinë e madhe”, shkroi ai ndër të tjera.
Maliqi po ashtu tha se po të njëjtin skenar e kanë luajtur serbët edhe në rastin në Pejë, i njohur si “Panda”, ku janë vrarë 5 të rinj serbë dhe është akuzuar UÇK-ja si përgjegjëse për këtë krim.
“I ngjashëm ka qenë edhe rasti i vrasjes së pesë të rinjve serbë në kafenenë ‘Panda’ në Pejë, për të cilin vetë presidenti Vuçiq ka pranuar publikisht se ka qenë i organizuar nga shërbimet sekrete serbe për ta paraqitur si krim të UÇK-së dhe shpallur atë organizatë terroriste dhe jo çlirimtare. Prindërit e viktimave në rastin ‘Panda’ prej kohësh kërkojnë nga Vuçiqi që të tregojë në prokurori të vërtetën se kush janë vrasësit e të rinjve serbë, por ai po i shmanget premtimit se do ta bëjë këtë, me gjasa u bë pishman se e ka përmend fare”, shkroi ai ndër tjera.
Rasti në Manastirin e Banjskës, sipas analistit Maliqi, mund të shërbejë që të ndriçohen edhe shumë inskenime të tjera të Serbisë.
“Banjska mundet të jetë rast që të ndriçohen edhe strategjia e inskenimit të krimeve makabre për të arritur kthesa historike jo vetëm si atë në Paraqin dhe Pejë, por edhe në disa raste të ngjashme në luftën e Bosnjës, p.sh. vrasjen me snajper të qiftit të dasmorëve serbë në Sarajevë, pas të cilit akt filloi lufta dhe rrethimi gati katërvjeçar i Sarajevës.
Nëse kjo vërtetohet në hetimet e informatat dhe gjurmët çojmë në atë drejtim, policia dhe inteligjenca kosovare, me gjasa në bashkëpunim me atë perëndimore, do të arrijë një fitore të madhe në demaskimin e kësaj ligësie makabre me rrezik për paqen dhe sigurinë në rajon dhe më gjerë”, theksoi Maliqi. /Zëri





















