Kosovë
Sherri me armë te Bon Vivanti: Një person në gjendje të rëndë, i plagosur edhe një roje sigurimi

Prishtina u trondit sonte nga të shtënat me armë në lokalin Bon Vivant. Shtatë persona mbetën të lënduar, tre prej te cilëve kanë pësuar lëndime të rënda trupore, raporton Gazeta Sinjali.
Burimet e Sinjalit brenda Emergjencës kanë bërë me dije se një burrë është në gjendje të rëndë shëndetësore.
Përveç tij, e lënduar ka mbetur edhe një vajzë dhe një roje sigurimi, të cilët e pësuan gjatë sherrit me armë brenda lokalit.
Ndryshe, raste të kësaj natyre janë shënuar vite më parë në këtë lokal.
Për vrasjen e viktimës, Rr.U. në lokalin “Bon Vivant”, Masar Gërdovci ishte dënuar me 18 vite burgim për vrasje të rende në bashkëkryerje dhe me 1 mijë e 500 euro gjobë për armëmbajtje pa leje.
Gjykata ndaj Gërdovcit kishte shqiptuar edhe dënim plotësues për konfiskimin e armës e cila dyshohet të jetë përdorur për kryerjen e veprës.
Për veprën penale të vrasjes e rëndë në bashkëkryerje, të akuzuarit Sherif Krasniqi, gjykata i ka shqiptuar dënim me burgim në kohëzgjatje prej 7 vitesh, në të cilin do t’i llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim.
Po ashtu, në mars të këtij viti, rreth 20 persona i kishin dëmtuar tavolinat e lokalit dhe kanë sulmuar menaxherin në shenjë pakënaqësie të moslejimit për t’u futur brenda pa rezervim.






















