Audio regjistrimi i publikuar, është nga seanca gjyqësore e mbajtur më 02.03.2023 në Gjykatën Themelore në Tetovë. Atë ditë, dy prokurorët e Prokurorisë Publike të Shkupit, Zorica Pavloviq dhe Dejan Petreski, u deleguan nga prokurori publik i Republikës, Ljubomir Joveski.
Në fillim të audio-incizimit, i cili zgjat 5 minuta e 25 sekonda, flet avokati mbrojtës i të akuzuarit Florim Besimi, i cili kërkon të dëgjohet eksperti i institutit të mjekësisë ligjore të Shërbimit Penal Federal të Gjermanisë i cili e ka përgatitur ekspertizën.
Propozimit të mbrojtjes së Besimit i bashkohen edhe pjesa tjetër e mbrojtësve.
Pas kësaj, sipas procesverbalit të publikuar, nëpërmjet telefonit paraqitet edhe një nga dy prokurorët (sipas zërit mashkullor është Dejan Petreski) dhe thotë:
“Prokuroria e kundërshton dhe nuk pajtohet me këtë propozim të mbrojtjes së të pandehurve për dy arsye themelore. Sugjerimi dhe prezantimi i parë dhe themelor i provave të tilla në këtë procedurë penale është i pakuptimtë, në lidhje me rrethanë që mbrojtja e të akuzuarit Florim Besimi e ka propozuar është jashtë objektit të akuzës. Dhe arsyeja e dytë është se një propozim i tillë ka të vetmin qëllim dhe synim zgjatjen e rrjedhës së kësaj procedure penale”.
Mbrojtja menjëherë i është përgjigjur kundërshtimit, duke i vlerësuar si të pabazuara pretendimet e prokurorit publik se mbrojtja synon ta zvarritë procesin gjyqësor.
Pas kësaj gjyqtari Jordan Velkovski e refuzon propozimin e mbrojtjes, duke theksuar se konstatimi i tillë (raporti i ekspertit gjerman) nuk ka lidhje me lëndën e aktakuzës.
Përfundimet e raportit gjerman
Sipas dokumenteve të publikuara nga IRL në dokumentarin me titull “Vrasja në Tetovë”, ekspertët gjermanë janë të qartë në konkluzionet e tyre. Arsyeja e parë e përhapjes së shpejtë të zjarrit, sipas tyre, është prania e një sasie të madhe oksigjeni në kombinim me poliuretani apo pur-panele nga të cilat është ndërtuar spitali.
Arsyeja e dytë është mungesa e barrierave kundër zjarrit që do të parandalonin përhapjen e mëtejshme të zjarrit ose më së paku do ta vështirësonin atë, vendosja e të cilave është detyrim ligjor sipas standardeve të sigurisë. Dhe arsyeja e tretë është ndërtimi i hapur i ndërtesës në papafingo ku gazi i dëmshëm mund të përzihet me oksigjenin dhe të përhapet kudo në një kohë shumë të shpejtë.
Ndryshe, më 5 qershor të këtij viti, Gjykata Themelore në Tetovë ka nxjerrë aktgjykim për zjarrin në spitalin modular që ndodhi më 8 shtator 2021, ku humbën jetën 14 persona. Drejtorët e akuzuar Florin Besimi dhe Artan Etemi dhe personi juridik Spitali klinik Tetovë, për veprën penale të veprave të rënda kundër sigurisë së përgjithshme, janë dënuar me kusht prej një viti e gjashtë muaj, nëse nuk e përsërisin veprën penale në tri vitet e ardhshme.
Gjykata shpalli pafajësinë për mjekun Boban Vuçevski, i cili akuzohej për veprën penale të mosveprimit sipas rregullave shëndetësore. Së bashku me Vuçevskin, Spitali Klinik u lirua nga vepra penale e mosveprimit sipas rregullave shëndetësore. Spitalit Klinik i është shqiptuar gjobë prej një milion denarë.
https://m.youtube.com/watch?v=iGzH5dHrs84&embeds_referring_origin=https%3A%2F%2Ftelegrafi.com&source_ve_path=MzY5MjUsMjM4NTE&feature=emb_title