Kosovë
Hoxhë Enis Rama reagon për Doku Fest: Kjo po që është shqetësuese, mirëpo më shqetësuese mbetet përkrahja institucionale

Përkrahja e dhënë nga pushteti qendror dhe ai lokal për festivalin “Doku Fest” ka ngjallur komente e reagime të shumta, shkruan Mitropol.
Shqetësues sikurse organizimin e një festivali të tillë ashtu edhe përkrahjen institucionale e ka quajtur Hoxha mitrovicas, Enis Rama.
“Zhveshja, jo vetëm nga rrobat, mirëpo edhe nga çdo vlerë njerëzore, çmenduria epsharake dhe humbja e turpit të cilën e shohim edhe në kohën tonë, janë vetëm një rresht më tepër që do të shënohet në faqet e zeza të historisë ku flitet për antinjerëzoren”, tha Rama.
Tutje ai shtoi se për të ndikuar për të mirë në shoqëri duhet organizuar më shumë fushatat vetëdijësuese me tema bazike e përmbajtësore.
Postimi i plotë:
Përkundër faktit që njeriu është krijesë me ndërgjegje dhe në epërsi me arsye dhe mendim ndaj të gjitha krijesave, megjithatë gjatë historisë janë shënuar forma të ndryshme të degradimit dhe shthurrjes së tij.
Zhveshja, jo vetëm nga rrobat, mirëpo edhe nga çdo vlerë njerëzore, çmenduria epsharake dhe humbja e turpit të cilën e shohim edhe në kohën tonë, janë vetëm një rresht më tepër që do të shënohet në faqet e zeza të historisë ku flitet për antinjerëzoren.
Kjo po që është shqetësuese, mirëpo më shqetësuese mbetet përkrahja institucionale dhe çasja pasive e shoqërisë.
Rezistenca kundër normalizimit dhe bashkëjetesës me këto deformime është niveli më minimal i çdo përpjekjeje për ta ruajtur shoqërinë dhe garantuar të ardhmen e ndritshme të vendit.
Bashkëpunimi për të mirën e shoqërisë e në veçanti të rinisë, sjellja e përgjegjshme dhe në përputhje me kompetencat, fushatat vetëdijësuese me tema bazike e përmbajtësore janë vetëm disa nga format se si mundemi të organizohemi për të vepruar si duhet.
Në të kundërtën, epshi bëhet kriter, injoranca mburrje e kategoritë më të degraduara shembull i suksesit dhe përparimit. Zoti mos e bëftë me ndodhë!






















