Shqipëri
Era favorizon përhapjen e zjarrit në fushën e plehrave/ Ministria e Mbrojtjes: 20 efektivë të FA-së dhe 5 mjete janë nisur drejt Elbasanit

20 efektivë të Bazës së Mbështetjes dhe Emergjencave civile (BMEC) si edhe pesë automjete zjarrfikëse janë vënë në dispozicion për të ndihmuar në shuarjen e flakëve në pikën e grumbullimit të plehrave pranë inceneratorit të Elbasanit, i cili shpërtheu pasditen e kësaj të shtune.
Lajmin e ka njoftuar ministri i Mbrojtjes Niko Peleshi përmes një postimi në Facebook, i cili thotë se Forcat e Armatosura iu përgjigjën kërkesës së autoriteteve vendore të Elbasanit për shkak se flakët po favorizohen nga era dhe temperaturat e larta.
“Forcat e Armatosura iu përgjigjën menjëherë kërkesës së autoriteteve vendore të Elbasanit për të ndihmuar më vënien në kontroll të flakëve në vendgrumbullimin e mbetjeve urbane. 20 efektivë të BMEC-së dhe 5 mjete janë nisur krah forcave zjarrfikëse të Elbasanit për të frenuar përhapjen e zjarrit që favorizohet nga era dhe temperaturat e larta.”, njofton ministri.
Nga të dhënat paraprake, dyshohet se zjarri në fushën e plehrave ka rënë aksidentalisht.





















