Lajme
Tragjedi shqiptare në Greqi, 5 persona humbin jetën në aksident trafiku

Një aksident tragjik ndodhi pasditen e së martës në Greqi, nga i cili humbën jetën 5 shtetas shqiptarë. Ngjarja rrugore ndodhi në kilometrin 87 të rrugës nacionale Follorinë-Selanik, kur në rrethana ende të paqarta, një automjet tip Mercedez Benz me targa shqiptare është përplasur kokë më kokë me një kamion me targa greke.
Kjo është gjithçka mbeti nga automjeti me të cilin udhëtonin shqiptarët, çka tregon qartë përplasjen e fortë të dy makinave të përfshira në këtë aksident.
Si pasojë e goditjes së fortë humbën jetën në vend të pesë personat që udhëtonin në makinën me targa shqiptare, përfshi shoferin dhe 4 pasagjerët.
Për nxjerrjen e viktimave nga automjeti, siç shihet edhe në këto pamje është kërkuar ndërhyrja e zjarrfikësve.
Ndërkohë që lëndime ka marrë edhe drejtuesi i kamionit i cili është dërguar në spital për ndihmë mjekësore.
Policia e Edesës bëri të ditur se po punon për sqarimin e rrethanave të plota të këtij aksidenti tragjik, por nga të dhënat paraprake dyshohet se makina me të cilën udhëtonin shqiptarët ka qenë në sens të kundërt të lëvizjes./ Tv Klan



















