Lajme
Komandant Remi del ta mbrojë publikisht Kurtin për veriun, sulmon mediat për raportimet për kryeministrin

Rrustem Mustafa, i njohur si komandant ‘Remi’, ka kërkuar mbështetjen e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit, në politikat e tij drejt veriut.
Mustafa, me anë të një postimi në ‘Facebook’, ka bërë të ditur se po i pengojnë raportimet në media dhe se pavarësisht tyre, Kurti “është në rrugën e drejtë”, shkruan Gazeta Insajderi.
“Duket qartë se opozita nuk ështē e koordinuar dhe si duket nuk ka ndonjë rrugëdalje për të tejkaluar situatën e krijuar. Një gjë jam i sigurtë, se pavërsisht se çfarë opinioni prodhojnë mediat, analistët apo edhe opozita, Kryeministri Kurti është në rrugë të drejtë në synimin e tij për të shtrirë pushtetin në tërë territorin e Kosovës. Në veriun e vendit tonë, deri tani kishte gjithçka, por mungonte substancialisht rendi dhe ligji”, ka deklaruar ai.
“Përpjekja e Qeverisë për të vënë rend dhe drejtësi në gjithë vendin do ta ketë përkrahjen nga unë në çdo kohë, strategjia për shtrirjen e sovranitetit nga qeveria dotë ketë suksesë në ruajtjen rendit dhe ligjit, analistet dhe mediat që po gozhdojnë pandershëm misionin për rend dhe ligj do të perfundojne pandershëm”, ka thënë më tej ‘Remi’.
Ai ka thënë se është i bindur se shpallja e Mbrojtjes Civile dhe Brigadës së Veriut si organizata terroriste nga ana e Qeverisë së Kosovës është bërë në koordinim me aleatët ndërkombëtarë.
“Cilësimi i dy organizatave ilegale të veriut si terroriste nga ana e Qeverisë së Republikës së Kosovës nuk besoj të jetë bërë pa konsulta me aleatët dhe miqtë tonë”. /Insajdeir.org/


















