Connect with us

Religjion

Koha e vetmisë së Islamit dhe muslimanëve

Publikuar

Vëllezër dhe motra në Islam!

Tema e hutbes së sotme është: Koha e vetmisë së Islamit dhe muslimanëve.

Po flasim për këtë temë në kohën kur në vende të ndryshme dhe në raste të ndryshme besimtarët duan t’i paraqesin si të prapambetur dhe të papërshtatshëm, ndërsa individët dhe grupet e pamoralshme përpiqen t’i paraqesin si përparimtarë dhe të përshtatshëm.

Allahu i Plotfuqishëm thotë:

“Thuaj: “Nuk është e njëjtë e keqja dhe e mira, po edhe nëse të mahnit ty shumimi i së keqes, pra kini frikë Allahun (e mos pranoni të keqen) o ju të zotët e mendjes, ashtu që të shpëtoni.” (el-Maide, 100)

Dispozita dhe urtësia e Allahut të Plotfuqishëm, ka qenë që gjatë historisë numri i pasuesve të Rrugës së drejtë të jetë i vogël, kurse në anën tjetër ka pasur shumë nga ata që kanë bërë thirrje për në rrugën e gabuar, në pabesim dhe shthurje të moralit. Allahu i Plotfuqishëm, në ajetin e cituar na paralajmëron që mos të na mashtrojë dhe mos të na befasojë shumica e së keqes.

Vëllezër të dashur!

Çka është vetmia e Islamit dhe muslimanëve dhe çka duhet të bëjmë ne?

Imam Ibn Tejmije ka thënë: “Ndonjëherë ndodh që i vetmuar njeriu bëhet në disa dispozita të sheriatit, ndërsa ndonjëherë ndodh që të bëhet në disa vende… I lumi ai që i përmbahet sheriatit ashtu siç ka urdhëruar Allahu i Plotfuqishëm dhe i Dërguari i Tij (savs).”

Kurse Ibn el-Kajjim el-Xhevzij ka thënë (r.h.): “Pjesëtarët e Islamit janë të vetmuar në mesin e njerëzve. Besimtarët janë të vetmuar në mesin e anëtarëve të Islamit. Dijetarët janë të vetmuar në mesin e besimtarëve… Mirëpo, në të vërtetë ata janë të dashurit e Allahut dhe nuk janë të vetmuar, por janë të vetmuar në mesin e shumicës së devijuar.”

Vetmia e nënkupton një individ ose fenomen që është i ndryshëm nga të tjerët. Të tillë kanë qenë edhe pejgamberët e Allahut, në krahasim me popujt të cilëve u janë dërguar.

Allahu i Plotfuqishëm, duke folur për Ibrahimin (a.s.), në ajetin 120 të sures en-Nahl, thotë:

“Me të vërtetë, Ibrahimi ka qenë (për nga virtytet e tij sa) një popull, i përulur Allahut, i prirur (kah e mira) dhe nuk ka qenë nga idhujtarët.”

Imam Ibnul-Kajjimi, në interpretimin e këtij ajeti thotë: “Ibrahimi (a.s.), ishte umet (popull), sepse në detin e mosbesimit vetëm ai ishte besimtar.”

Le të jetë kjo inkurajim për të gjithë ata që përballen me kufrin në mjediset e tyre, që të mbesin të palëkundur në fenë e tyre, dhe le të jetë Ibrahimi (a.s.), model i mirë për ta!

Vëllezër të dashur,

Islami ka filluar si i vetmuar dhe si i tillë do të kthehet përsëri, siç thuhet në hadithin e Pejgamberit (savs): “Islami ka filluar si i vetmuar, dhe do të kthehet si i vetmuar, andaj të lumit ata që janë të vetmuar.” (Muslimi)

Islami në Mekë filloi me një grup të vogël të muslimanëve, të cilët u detyruan t’i bëjnë tri shpërngulje. Së pari nga Meka, pastaj edhe nga Medina shkëlqeu si një llambë në detin e politeizmit, në Gadishullin arabik dhe më gjerë. Ajo dritë u përhap me shpejtësi, dhe së shpejti e ndriçoi jo vetëm Gadishullin arabik, por edhe më gjerë hapësirat e rruzullit tokësor.

Zgjerimin e Islamit dhe përhapjen e tij e realizuan brezat e muslimanëve të cilët gjithë jetën e tyre dhe të gjitha kapacitetet ia dedikuan fesë së Allahut, të udhëhequr nga hadithi: “Që të jesh shkaktar që dikush ta pranojë Islamin dhe të shpëtojë, është më mirë se kjo botë dhe çdo gjë që ka në të!”

Mirëpo, pas tyre erdhën brezat e muslimanëve, të cilët u preokupuan me këtë botë, të cilët e harruan amanetin e halifit në Tokë, të cilët e harruan Zotin e tyre, dhe për zot të tyre i morën ata që nuk mund ta ndihmojnë as vetveten.

Pejgamberi (savs), ka thënë: “Paraprini me vepra të mira kohës së fitneve, të cilat do të jenë si nata e errët, kur njeriu do të gdhihet besimtar dhe do të ngryset jobesimtar, ose do të ngryset besimtar, kurse do të gdhihet jobesimtar, dhe kur do ta shesë fenë e tij për atë që i ofrohet nga dynjaja.” (Muslimi)

Vëllezër të respektuar!

Pejgamberi ynë, (savs), na rekomandon që me vepra të mira t’i paraprijmë kohës së fitneve, në të cilën do të përhapen degjenerimi dhe mëkatet, si nata e errët.

A po e jetojmë ne këtë kohë, kohën në të cilën fitnet kanë marrë hov të madh, kohën në të cilën po shkilen normat islame – standardet njerëzore të sjelljes, ndërsa po vlerësohet çdo gjë që ka të bëjë me mëkatin?

Pejgamberi (savs), në një rast ka thënë: “Urdhëroni në të mirë dhe ndaloni nga e keqja, dhe kur ta shihni koprracin e nënshtruar, pasionin duke u pasuar, dynjanë duke joshur, dhe kur secili e pëlqen mendimin e vet, atëherë ju kujdesuni për veten tuaj dhe largohuni nga masa! Pas jush janë ditët e durimit, në të cilat durimi është si mbajtja e gacës! Ai i cili e bën një vepër të mirë në atë kohë, do të ketë shpërblimin sikur 50 njerëz që punojnë (tash) si ata.” (Muslimi)

Vëllezër të dashur,

Sikur edhe ne jemi duke i përjetuar parashenjat e përmendura të Kiametit dhe të sprovave të rënda! Kjo duhet të jetë nxitje që edhe më shumë të përpiqemi, të garojmë në vepra të mira dhe mos të frikësohemi nga qortimi i asnjë qortuesi, me shpresë se – me vullnetin e Allahut – do ta kemi atë shpërblimin e madh, të cilin Pejgamberi (savs), e ka përmendur në hadith!

Vëllezër të respektuar,

Le të ruhemi nga harami dhe gjërat e dyshimta, le të veprojmë vepra të mira, le ta mbrojmë veten dhe familjen tonë nga zjarri, le t’i përmbushim detyrimet tona ndaj Allahut të Plotfuqishëm, ndaj fesë, ndaj atdheut, ndaj vetvetes, ndaj prindërve, ndaj familjes, ndaj vëllezërve dhe motrave të fesë, dhe ndaj të gjithë atyre të cilëve ju kemi hak!

O Allah, na forco në rrugën e Islamit!

Na bëj nga ata që me përkushtim e mbrojnë fenë e tyre!

Ndihmoji vëllezërit dhe motrat tona në nevojë kudo që janë!

Na ruaj nga e keqja e armiqve Tu dhe armiqve tanë!

Intrigat e armiqve të umetit dhe atdheut tonë ktheji mbi vetë ata!

O Allah, mëshiroji prindërit dhe paraardhësit tanë të vdekur të cilët na e sollën dritën e fesë!

Udhëzoji fëmijët dhe pasardhësit tanë, dhe bëji udhëheqës të umetit dhe mbrojtës më të mirë se ne të fesë dhe të atdheut, si dhe gëzim të syve dhe zemrave tona në këtë botë dhe në botën tjetër!

O Allah, na mëshiro neve në Ditën e Gjykimit dhe na ndero me Xhenet në shoqëri të pejgamberëve, të sinqertëve, të shehidëve dhe të njerëzve të mirë! Amin!

Hatib: Nezim Halilović Muderris

Përshtati: Miftar Ajdini

NA NDIQ NË FACEBOOK