Connect with us

Religjion

Dituria për tri ditë | Islam Press

Publikuar

Ishte një njeri dhe e kishte një djalë. Djali ishte rritur për të shkuar në shkollë, mirëpo kurrsesi nuk dëshironte të shkojë në shkollë. Nuk dua, nuk dua dhe nuk dua! – qante djali.

Jo do – jo nuk dua, në fund babai lëshoi pe.

Fëmija u rrit u bë djalosh, u bë për martesë.

– I tha djaloshi babait: Më jep të holla, tash dua të shkoj në shkollë!

Ah, djali im, tash është vonë. Tash ti duhet të kujdesesh për jetë, jo për shkollë.

– Dua, dua, dua – nguli këmbë djaloshi – dua, dhe do ta gjej një njeri i cili do të m’i mësojë të gjitha për tri ditë.

– Nuk mundët, nuk ekziston njeri i tillë – u përgjigj babai – njerëzit mësojnë edhe 70 vjet dhe nuk mund t’ia dalin në skaj shkencës.

– Mundem, do ta gjej, vetëm më jep të holla!

Babai në fund pranoi dhe i dha të holla. Djaloshi u nis për rrugë. Eci, eci dhe arriti deri te një qytet. Nuk hyri në qytet, por u ulë pranë rrugës, e nxori nga çanta bukën dhe filloi të ha.

Rrugës atypari kaloi një plak i cili e pyeti: O djalosh, ku je nisur?

– Kam dalë nëpër botë, po e kërkoj një njeri i cili do të m’i mësojë dituritë për tri ditë.

Oh, unë jam ai njeriu, do të shpie në një vend ku do t’i mësosh të gjitha për tri ditë.

U nisën rrugës pranë qytetit. Djaloshi ishte i lodhur nga udhëtimi i gjatë dhe vazhdimisht ngecte. Para mbrëmjes arritën te një lëndinë. Lëndina ishte e madhe. Në të askund nuk kishte asgjë, as dru, as gurë, ishte vetëm një xhami. Ai njeriu u nisë kah xhamia, e pas tij edhe djaloshi. E hapi xhaminë, e futi djaloshin brenda dhe i tha:

– Ulu këtu dhe prit derisa të vijë unë.

Ai shkoi. Pas vetes e mbylli derën. Djaloshi mbeti vetëm në xhami. I shikoi muret e bardha e të zbrazura. Në disa qoshe ishte varur merimanga. Mbi dritare kishte të shkruara shkronja. Së shpejti u bë natë. Ra nën dritare dhe e zuri gjumi.

Në mëngjes e zgjoi dielli. U ngrit dhe u afrua afër dritares. I fërkoi sytë dhe po shikonte përjashta. Kur i pa kasapët duke bartur mish në shpinë dhe duke e varur nën dritare. Gjysma e mishit në moment krimbej. Pastaj erdhën disa njerëz dhe filluan të blejnë mish. Disa e blinin atë të krimburin, kurse të tjerët të shëndoshin. Së shpejti u shit mishi dhe përsëri u kthye gjithçka e shkretë siç ishte më parë.

Kaloi dita e parë dhe asgjë tjetër nuk u paraqit as nuk ndodhi në lëndinën e shkretë.

Djaloshi po shëtittë nga njëri mur në tjetrin, hante bukë të thatë dhe bujti edhe natën e dytë..

Edhe mëngjesin e dytë djaloshi përsëri po shikonte për dritare. Kur e pa një plak, aq plak sa që më plak nuk ka nga krijesat, mjekra i arrinte deri në bel, ecte dhe bartte njëfarë barre të madhe në shpinë. Aq ishte e madhe, sa që askush nuk mundte ta matë, e lëre më ta bartë. Plaku shkonte nëpër lëndinë, i kërrusur, por edhe kjo i dukej pak, andaj përkulej dhe mblidhte kashta (fije) dhe i hidhte në barrë mbi vete.

Djaloshi po shikonte me çudi: “O Zot, si mundet ky plak ta bartë gjithë atë barrë, madje nuk po i mjafton andaj po hedh përsëri”, e ktheu ngadalë kokën dhe e përcolli plakun se si po i humbej nga shikimi. Lëndina përsëri mbeti e shkretë pa asgjë askund.

Erdhi mëngjesi i ditës së tretë, djaloshi u zgjua dhe menjëherë shikoi në dritare. Papritmas në mes të lëndinës u shfaq një vajzë. Vajzë më të bukur nuk kishte në botë. U shfaq edhe një djalosh. Vajza filloi të ik nëpër lëndinë, kurse djaloshi filloi ta ndjekë. As ajo nuk mund të ikte, por as ai nuk mund ta zinte. Vraponin nëpër lëndinë dhe ashtu u humbën.

As atë ditë nuk ndodhi tjetër gjë. U bë natë dhe djaloshi bujti.

Edhe mëngjesin e katërt po shikonte në dritare. Kur u paraqit njeriu i cili e kishte fut në xhami, erdhi dhe e çeli xhaminë.

– A ke pas të ftohtë (a je mërzitur), e pyeti djaloshin?

– Vallahi, mjaft – u përgjigj.

– A ke parë diçka?

– Po, si jo. Ditën e parë (në mëngjes) i kam parë disa kasapë të cilët e sollën njëfarë mishi para dritares dhe i pashë njerëzit të cilët menjëherë e blenë. E pash që ai mish u shndërrua në dy pjesë, njëra pjesë e krimbur, kurse pjesa tjetër me mish të shëndoshë.

– O djalosh, nuk ka qenë ai mish i krimbur. Çdo gjë ka qenë në rregull. Por ata që i kanë fituar të hollat në mënyrë të pandershme, atyre mishi i freskët iu ka shndërruar në të krimbur. Ata ato të holla i kanë fituar me haram, me mashtrim – thotë njeriu, pasi heshti pak, e pyeti:

– Po çka ke parë ditën e dytë (në mëngjes)?

– E kam parë një plak duke e bartur një barrë të madhe. Edhe ajo i dukej pak andaj nëpër lëndinë mblidhte kashta (fije) dhe i hidhte mbi vete.

– O djalosh, nuk është ajo kurrfarë barre e kësaj bote – dru dhe gurë – por janë mëkatet të cilat i ka bërë gjatë jetës. Ai ka mbytur njerëz, ka gënjyer, ka plaçkitur, ka bërë gjithçka, dhe krejt kjo është barrë e tij. Dhe nuk është përmirësuar dhe penduar as në pleqëri, por edhe më tutje ka jetuar jetë të pandershme. Mirëpo, pasi që u bë i pa aftë, nuk ishte në gjendje të kryejë ndonjë mëkat të madh, por vetëm të vogla, andaj mbledh kashta dhe i hudh mbi vete – ia shpjegoi plaku.

– Po ditën e tretë çfarë ke parë?

– Ditën e tretë kam parë diçka të çuditshme. U shfaq një vajzë, e pastaj edhe një djalosh.

Vajza filloi të ikte, kurse djaloshi pas saj. Diçka më të bukur se ajo vajzë nuk kam parë.

Ikte nëpër fushë, kurse djaloshi pas saj. As ajo nuk mund të ikte, e as ai nuk mund ta zinte..

– A edhe këtë e paske parë. Ajo nuk ka qenë vajzë, por imazhi i kësaj bote. Kurse djaloshi – ai jemi ne, janë sytë tonë. Ne luftojmë ta kapim këtë botë. Gjithmonë e ndjekim, kurse ajo na ikën. Dhe kështu na vjen vdekja. Sytë gjithmonë janë të uritur. Ata dëshirojnë të kapin çdo gjë. Ata e shtyjnë shpirtin tonë të lakmojë.

Kurse tash, djalosh – përfundoi plaku – shko në shtëpi. Kjo është krejt shkenca e jetës. Dhe mos gabo, të bësh ndonjë të keqe, e të kërkosh atë që nuk mund ta arrish.

Përshtati: Miftar AJDINI