Connect with us

Kosovë

A ishte kjo arsyeja e arrestimit të ish-ushtarit të UÇK-së nga Specialja?

Publikuar

Përgjatë ditës së sotme është raportuar arrestimi i Dritan Goxhajt, ish-luftëtarit të UÇK-së me urdhër të Gjykatës Speciale.

Një gjë të tillë e ka raportuar Euronews Albania, teksa thuhet se ai është arrestuar në Tiranë dhe ndodhet në ambientet e Drejtorisë së policisë së kryeqytetit, pas kontrolleve të ushtruara në banesën e tij.

Mediumi raporton me burime se arrestimi ka ndodhur pasi ndaj tij rëndon akuza se ka nxjerrë emrat e dëshmitarëve në disa çështje penale, të ngritura pas luftës në Kosovë.

Goxhaj e ka akuzuar më herët Nazlie Balën, e cila njëkohësisht është këshilltare e ministres së Drejtësisë, Albulena Haxhiu, për dëshmitare të mbrojtur të Prokurorisë së Specializuar në Hagë.

Goxhaj në shkrimin autorial “Mëmëdheu, UÇK-ja dhe gjykata speciale”, i cili ishte publikuar në KosovaPress, ka shkruar se Balaj është e afërme e njërit prej viktimave për të cilin është dënuar nga Gjykata Speciale ish-eprori i UÇK-s, Salih Mustafa.

“Dëshmitari i tretë, edhe ky i mbrojtur dhe i fshehur, quhet Nazlie Balaj”, pretendonte ish-oficeri i UÇK-së, në shkrim.

Në këtë shkrim, Goxhaj akuzonte edhe dy persona të tjerë për dëshmitarë të mbrojtur të Prokurorisë Speciale.

NA NDIQ NË FACEBOOK