Lajme
Vdekja e 67 vjeçares në Suharekë dyshohet se nuk ndodhi gjatë aksidentit

67 vjeçarja, e cila vdiq të enjën në mbrëmje pas një aksidenti trafiku mes dy veturave në fshatin Samadraxh të Suharekës, dyshohet se nuk vdiq nga plagët e marra gjatë aksidentit, por pas aksidentit.
Lajmin për Insajderin e bëri të ditur zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Prizrenit, Shaqir Bytyqi.
”Me date 29.06.2023, rreth orës 21:50 , është raportuar një aksident trafiku mes dy automjeteve ne fshatin Samadraxh, KK Suharekë. Policia e ka trajtuar rastin e aksidentit, njëra nga pjesëmarrëset në aksident nga emergjenca është transportuar për në QKMF në Suharekë, rreth orës 21:54 në QKMF mjeku kujdestar e ka vërtetuar vdekjen e viktimës, femër 67 vjeçare”, tha Bytyqi.
Sipas Bytyqit, e moshuara dyshohet se ka pasur një fjalosje pas aksidentit me njërin prej personave që ishin në veturën tjetër, gjë që ka bërë që tashmë e ndjera të rrëzohet dhe të mbes pa shenja jete.
Mes tjerash Bytyqi tha se motivet e vdekjes ende nuk dihen, mirëpo Prokuroria ka nisur hetimet.
“Nga mbledhja e dëshmive nga vendi i ngjarjes, dyshohet se viktima nuk ka ndërruar jetë si pasoj e lëndimeve nga aksidenti, por shkaqet e vdekjes deri me tani nuk dihen. Dyshohet se i dyshuari pas aksidentit ka dal nga automjeti dhe janë fjalosur me palën tjetër dhe në një moment e ka shtyrë viktimën, e cila është rrezuar. Viktima ka qene pasagjere në automjetin tjetër të përfshirë në aksident. Pra deri me tani nuk dihen shkaqet e vdekjes, por prokurori kujdestar ka urdhëruar që të hapet rast ” Vrasje nga pakujdesia”, tha Bytyqi për Insajderi.
Ndërsa, i dyshuari nuk është intervistuar sepse ka qenë nën ndikim te alkoolit. Me urdhër te prokurorit kujdestar, i njëjti është ndaluar për 48 orë.





















