Lajme
Ndërhyrja e Besim Kelmendit pezullon konkursin për zyrtar të arkivit në Prokurori të Prishtinës

Ndërhyrja e u.d. të Kryeprokurorit të Shtetit, Besim Kelmendi, në një konkurs në Këshillin Prokurorial të Kosovës ka bërë që procesi i rekrutimit të një “Zyrtari për Arkiv” në Prokurorinë Themelore të Prishtinës të pezullohet. Shkak sipas njoftimit të KPK’së, u bë “kompleksiteti i çështjes”. Por, nuk tregohet se çfarë nënkupton kjo.
Kelmendi ka dhënë për gazetën online Reporteri.net sqarimin e tij në lidhje me ndërhyrjen e tij në proces. Sekretariati i Këshillit Prokurorial të Kosovës dhe Departamenti për Burime Njerëzore, një javë resht, kanë injoruar pyetjet e gazetës duke mos i përcjellë sqarimet e tyre. KPK, siç e thekson edhe vetë Kelmendi, është institucion i veçantë Kushtetues, nga Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit.
Një e-mail i dërguar në Sekretaritatin e Këshillit Prokurorial të Kosovës, e ka pezulluar gati krejt në fund një proces punësimi në Prokurorinë Themelore të Prishtinës.
Ushtruesi i detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, Besim Kelmendi, po del të jetë shkaku i këtij pezullimi, edhe pse procesi rekrutues për “Zyrtar për Arkiv” u zhvillua nga Këshilli Prokurorial i Kosovës.
Kelmendi ndërhyrjen në procesin e rekrutimit e kreu veç me një e-mail me anë të të cilit përcolli një raport të një bashkëpunëtori profesional i angazhuar në Zyrën e tij.
“Bashkangjitur me këtë email po ua përcjelli shqetësimin – raportin informues të z. Arian Frrokaj, lidhur me procesin e rekrutimit të një zyrtari për arkiv 1, në Prokurorinë Themelore në Prishtinë, në mënyrë që të verifikoni pretendimet e tij dhe veproni sipas dispozitave ligjore”, thotë e-maili i Kelmendit i dërguar më 19 maj 2023 i dërguar në sekretariatin e KPK’së dhe tek zyra e burimeve njerëzore, të cilin e ka parë gazeta online Reporteri.net.
Gjithçka, do të ishte në rregull me këtë e-mail, sikur bashkëpunëtori profesional në Zyrën e Kryeprokurorit të Shtetit, i cili ishte edhe anëtar i komisionit në procesin rekrutues të KPK’së, mos ta kishte nënshkruar raportin fillestar të komisionit, pas intervistimit të kandidatëve. Por, tek më vonë, siç ka marrë vesh gazeta online Reporteri.net, ai “i ra pishman” për nënshkrimin të cilin e tërhoqi dhe raportin e tij të veçantë e përcolli tek KPK’ja përmes u.d. të Kryeprokurorit të Shtetit.
Ndërhyrjen e tij në këtë proces, Besim Kelmendi nuk e mohon, veç se jep versionin e tij.
“Çështja e rekrutimit te stafit ne Prokurori është në kompetencë të Këshillit Prokurorial te Kosovës, si Institucion i veçantë Kushtetues, ndërsa arsyeja e përcjelljes se Raportit informues të z. Arian Frrokaj, mbi ecurinë e procesit për pozitën: Zyrtar i larte për Arkiv 1, në Prokurorinë Themelore ne Prishtine, rezulton si detyrim ligjor i imi, që çdo informacion te pranuar ta përcjellim për verifikim ne organin kompetent, qe ne këtë rast është Këshilli Prokurorial i Kosovës, në të kundërtën heshtja apo mos adresimi i këtij raporti do të ishte fshehje e informacionit, që është në kundërshtim me ligjin”, e arsyen e-mailin e tij Besim Kelmendi, në një përgjigje për gazetën online Reporteri.net.
“z. Arian Frrokaj edhe pse është bashkëpunëtor profesional ne Zyrën e Kryeprokurorit te Shtetit, i njëjti është caktuar si anëtar i komisionit nga Këshilli Prokurorial i Kosovës e jo nga zyra jone. Sa i përket procesit, për detaje, ju lutem drejtohuni ne Këshillin Prokurorial te Kosovës”, thotë u.d. i Kryeprokurori të Shtetit në sqarimet e tij për Reporteri.net.
Ai në përgjigjen e tij nuk sqaron nëse Bashkëpunëtori profesional në zyrën e tij, si anëtar i komisionit, fillimisht e ka nënshkruar raportin e anëtarëve të komisionit pas intervistimit të kandidatëve.
Për dallim nga Besim Kelmendi, nga Këshilli Prokurorial i Kosovës nuk e kanë marrë fare mundin që deri më sot të japin sqarime në pyetjet e ridërgurara disa herë nga gazeta online Reporteri.net. Pyetjet janë dërguar edhe direkt tek u.d. e Sekretariatit të Këshillit Prokurorial të Kosovës, Shqipe Hykolli, por se e njëjta nuk është përgjigjur. Sikurse as shefja e Departamentit për Burime Njerëzore, Brikena Luzha.
Të dyja përveç pyetjeve të gazetës online Reporteri.net, para pak ditësh kanë pranuar në e-mail adresën e tyre edhe “shqetësimin” e Besim Kelmendit rreth procesit rekrutues.
Vetëm pak ditë pas e-mailit të u.d. Kryeprokurori të Shtetit në adresën e Zyrës së Sekretarit të KPK’së, Udhëheqësi i Divizionit të Burimeve Njerëzore doli me një njoftim.

“Ju njoftojmë se duke u bazuar në nenin 99 të Ligjit Nr. 05/L-031 për Procedurën e Përgjithshme Administrative lidhur me procesin e rekrutimit për pozitën Zyrtar për Arkiv 1, Prokuroria Themelore Prishtinë një (1)pozitë, sipas konkursit të hapur me datë 14.04.2023 deri më 28.04.2023, për shkak të kompeleksitetit të çështjes, shtyhet afat i publikimit të njoftimit për 5 ditë”, thotë njoftimi i KPK’së i datës 25/05/2023.
Në mungesë të përgjigjes nga ana e KPK’së, gazetës online Reporteri.net nuk i është dhënë sqarime se për çfarë “kompleksiteti të çështjes” bëhet fjalë në këtë proces, dhe nëse kjo nënkupton ndërhyrjen e u.d. të Kryeprokurorit të Shtetit në këtë konkurs.
Megjithatë, 5 ditë më vonë, divizioni i Burimeve Njerëzore në KPK doli me një tjetër njoftim. Ata të pezullimit të procesit “deri në vendosjen e çështjes paraprake”.
“Ju njoftojmë se procesi i rekrutimit për pozitën Zyrtar për Arkiv 1, një (1) pozitë në Prokurorinë Themelore në Prishtinë i ciki ka qenë i shpallur me 14.04.2023 deir më datë 28.04.2023, pezullohet deri në vendosjen e çështjes paraprake, duke u bazuar në nenin 85 të Ligjit Nr.05/L-031 për Procedurën e përgjithshme Administraive”, thuhet në njoftimin e datës 30 maj 2023.
Të kontaktuar nga gazeta online Reporteri.net, nga Prokuroria Themelore e Prishtinës ku do të angazhohet një zyrtar i arkivës thanë javën që shkoi se “referuar kërkesës së parashtruar nga ana juaj, lidhur me këtë çështje ju lutem t’i drejtoheni Sekretariatit të Këshillit Prokurorial të Kosovës, konkretisht Departamentit për Burime Njerëzore”.



















