Lajme
Krasniqi – Kurtit: Vallai s’të lejojmë me rreziku raportin me SHBA-në

Memli Krasniqi, kryetar i PDK-së, ka mbajtur një fjalim në Kuvendin e Kosovës, për mënyrën se si e menaxhoi krizën në veri.
Me një fjalim në seancën e jashtëzakonshme, të thirrur për të folur rreth zhvillimeve në veri dhe përkeqësimit të raporteve të Qeverisë së Kosovës me Qeverinë amerikane.
Ai përmendi përjashtimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës nga stërvitjet e përbashkëta me NATO-n dhe i tha Kurtit se për shkakun e tij, ushtarët kosovarë i larguan nga këto ushtrime të rëndësishme për të.
“Ti çka ke arrit është ndëshkimin e Kosovës prej Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Jo tëndin. Tek e fundit me qenë përgjegjësia veç e jotja personale, punë e madhe. Por, Kosovën je duke e përfaqësu”, ka thënë Krasniqi.
“E kanë përjashtu ushtrinë prej stërvitjeve më të rëndësishme të NATO-s dhe të Amerikës, ‘Defender Europe 2023’”, ka thënë tutje ai.
Kreu i PDK-së i ka përmendur edhe ndëshkimet e tjera, që i ka deklaruar ambasadori amerikan, Jeff Hovenier, të martën për Kosovën.
“Del Qeveria amerikane konkretisht të thotë se nuk të ndihmojmë më për njohje, për integrim evropian. T’i kanë anulu krejt vizitat zyrtare në Amerikë, për herë të dytë”, ka thënë kryetari i PDK-së.
Krasniqi i tha Kryeministrit se nuk do ta lejojnë t’i dëmtojë raportet më tutje me SHBA-në dhe e ka krahasuar qasjen e tij karshi Amerikës, me qasjen e diktatorëve nëpër botë.





















