Kosovë
Kërkesa urgjente e Escobarit për Kurtin, vjen reagimi i parë nga VV’ja

Deputeti i VV’së, Gramos Agusholli thotë se do të ketë Asociacion, por jo me kompetenca ekzekutive.Këtë deklaratë Agusholli e dha për GazetaBlic, teksa komentoi kërkesën urgjente që sot Emisari Special i SHBA-ve për Ballkanin, Gabriel Escobar, tha për kryeministrin Kurti në BBC.
“Ashtu siç ka thënë kryeministri Kurti, që asociacion do të ketë, por jo me kompetenca ekzekutive. Qeveria e Kosovës është zotuar që do ta respektojë marrëveshjen e Ohrit, por ajo duhet te respektohet si tërësi, jo në mënyrë të pjesshme”, tha Agusholli.Në anën tjetër, Agusholli foli edhe për situatën në veri dhe kërkesën e ndërkombëtarëve për tërheqjen e njësive speciale nga veriu.
Agusholli thotë se kryeministri Kurti u tregua fleksibil duke thënë se do të mbahen zgjedhjet e reja.Sipas Agushollit, është gabim nëse dikush mendon që duhet bërë kompromis me bandat dhe kriminelët në veri, të cilët sipas tij janë të dirigjuar dhe ushqehen nga Serbia.
“Në anën tjetër, kryeministri është treguar fleksibil dhe ka thënë se do mbahen zgjedhjet e reja në komunat veriore, ku qytetarët përmes votës së lirë do t’i zgjedhin kryetarët e rinj. Është gabim nëse dikush mendon që duhet bërë kompromis me bandat dhe kriminelët në veri, të cilët janë të dirigjuar dhe ushqehen nga Serbia”, tha ai për GazetaBlic.
Kujtojmë se, emisari Special i SHBA-ve për Ballkanin, Gabriel Escobar, i ka bërë thirrje Kurtit që të tërheq forcat e Policisë Speciale nga veriu bashkë me kryetarët.
“Ka ndërtesa qeveritare të tjera nëpër të cilat mund të punohet. Fatkeqësisht përpjekjet tona për koordinim me Qeverinë e Kosovës dështuan. Ishte tërësisht e parandalueshme kjo situatë. Të dy palët kanë përgjegjësi për ndalimin e dhunës. Ushtrimi i detyrës brenda zyreve është thjesht simbolik”, tha ai.Ai foli edhe për procesin e dialogut.
“Në tavolinë janë Kosova dhe Serbia. Në shumë raste, është Qeveria me Qeveri. Por kjo s’do të thotë që të tjerët nuk ndikojnë, siç eshtë shoqëria civile, të rinjtë, kisha”, tha tutje Escobar.Kur u pyet nga gazetari i BBC-së se cila është kërkesa për Kurtin, ai ishte shumë i ashpër.
“E kemi sinjalizuar: Ai duhet t’i tërheq kryetarët nga atje, të tërheq forcat speciale, dhe të nisë menjëherë diskutimet për Asociacionin”, tha ai.




















