Religjion
Hutbe – Qëllimi i jetës

Falënderimet i takojnë Allahut të Madhërishëm, prej Tij kërkojmë falje dhe udhëzim. Kërkojmë mbrojtje nga e keqja e shpirtrave tanë dhe veprave tona të këqija. Kënd e udhëzon Ai, askush nuk mund ta mashtrojë, ndërsa atë të cilin Ai e lë në mashtrim, askush nuk mund ta drejtojë në rrugë të drejtë.
Dëshmoj se nuk ka zot tjetër, përveç Allahut dhe se Muhamedi savs, është rob dhe i dërguar i Allahut.
Të dashur vëllezër e motra!
Një nga begatitë më të mëdha që Allahu u ka dhënë njerëzve është arsyeja (mendja), por! Sa prej nesh në jetë kanë menduar ndonjëherë se cili është qëllimi i jetës sonë? A kemi menduar ndonjëherë se cili është qëllimi i ekzistencës sonë? Çka po bëjmë këtu, pse jemi këtu? A është e nevojshme ta dimë se cili është qëllimi i jetës sonë?
Për ta paraqitur me ilustrim, do të përmendim disa shembuj.
Njëherë një njeri, gjatë udhëtimit të tij, kur erdhi në udhëkryq, e pyeti një kalimtar: “Ku çon kjo rrugë? Kalimtari e pyeti: “Ku doni të shkoni?” Njeriu tha: “Kudo qoftë.” Kalimtari tha: “Atëherë shko në cilëndo rrugë, sepse nuk ka asnjë ndryshim.” Ky udhëtar nuk kishte asnjë qëllim, çfarëdo hapi që të bënte nuk kishte asnjë ndryshim, sepse ai donte të shkonte kudo qoftë. Dhe shumë prej nesh bëjmë jetë në këtë mënyrë.
Imagjinoni një ndërtimtar i cili fillon të ndërtojë një ndërtesë dhe i hap themelet. Gërmon themele të mëdha për ndërtesën e tij dhe nëse ti e pyet: “Sa kate do të ketë ndërtesa juaj?” Ai përgjigjet: “Unë nuk e di!” – “Sa metra katrorë do të ketë ndërtesa juaj?” Ai përgjigjet: “Unë do të mendoj.” Ky ndërtimtar fare nuk ka një qëllim të vetin.
Shumica prej nesh jetojmë si ai udhëtari dhe si ky ndërtimtari. Absolutisht pa qëllim. Secili prej nesh duhet t’i shtroj vetes këtë pyetje: “Çka është qëllimi i jetës sonë, çka është qëllimi i ekzistencës sonë”?
E vetmja mënyrë për ta gjetur përgjigjen për këtë pyetje është në librin e shenjtë, Kuranin, ku Allahu i Madhërishëm, Krijues i Vetëm, në suren 51, ajeti 56 thotë: “Xhinët dhe njerëzit i kam krijuar vetëm që të më adhurojnë.” Fjala arabe ABD, e përdorur në këtë ajet do të thotë: shërbim, adhurim, bindje, përkushtim. Me pak fjalë, do të thotë adhurim, plotësimin e urdhrave të Allahut, Krijuesit tonë.
Për shembull, nëse Allahu thotë se ti duhet t’i kryesh pesë shtyllat e Islamit, këtë do ta bësh nëse je plotësisht i vetëdijshëm për ekzistencën e Allahut të Madhërishëm.
Pejgamberi savs thotë se duhet të kujdesesh për fqinjin, kështu që nëse ti kujdesesh për fqinjin, ti e adhuron Allahun e Madhërishëm.
Dhe nëse ti qëndron larg nga gjërat që I Plotfuqishmi i ka ndaluar, ti në këtë mënyrë e adhuron të Plotfuqishmin. Në qoftë se ti qëndron larg nga vjedhja dhe mashtrimi ti e adhuron Allahun e Madhërishëm.
Dhe çdo punë të cilën e bën mund të shndërrohet në adhurim nëse i plotëson dy parime.
I pari, që vepra të cilën e bën të jetë vetëm në emër të Allahut, pa asnjë shtirje, pa pjesë interesi dhe dëshire për famë.
I dyti, që vepra të kryhet sipas Sunnetit të Muhamedit savs, të veprojmë ashtu siç ka vepruar ai.
Kur e blen ndonjë pajisje, me të e merr udhëzimin për përdorim.
Për shembull, të supozojmë se trupi i njeriut është makinë, makina më e komplikuar? A mendoni se kjo makinë duhet të ketë udhëzim për përdorim? Udhëzimi i fundit dhe final për qenien njerëzore është Kur’ani fisnik. Udhëzimi i fundit i dhënë për të gjithë njerëzimin nëpërmjet Pejgamberit Muhamed savs.
Shumë njerëz pyesin: “Përse Allahu dëshiron që ne ta adhurojmë Atë, a ka Ai nevojë për adhurimin tonë, pse ai dëshiron që ta madhërojmë me fjalët Allahu është më i madhi (Allahu ekber), falënderimi i qoftë Allahut (El-hamdu lil-lah)…?”
Allahu i Madhërishëm përgjigjet në Kuranin fisnik, në suren Fatir, ajeti 15: “O ju njerëz, ju keni nevojë për Allahun e Allahu nuk ka nevojë për ju; Ai është i falënderuari.”
Arsyeja pse Allahu dëshiron që ne ta adhurojmë nuk është për fitimin (dobinë) e Tij, por për të mirën tonë. Kur ne themi Allahu ekber, kjo nuk e bën Allahun më të madh. Edhe nëse themi ne apo jo, Allahu është më i madhi, kjo nuk bën asnjë ndryshim tek Allahu. Por arsyeja përse Allahu dëshiron që ne ta lavdërojnë atë është se Ai e di psikologjinë e njeriut. Ne njerëzit kur e dimë se dikush është i lavdëruar, i vlerësoi, i admiruar, fisnik ne synojmë që ta ndjekim këshillën e tij.
Për shembull, nëse ti je i sëmurë, a do ta merr këshillën e një mjeku specialist apo të profesorit të gjeografisë?
Sigurisht se do ta merr këshillën e mjekut, sepse ai e din më së miri nga të gjithë njerëzit tjerë zgjidhjen për sëmundjen.
Pra, kështu edhe Allahu i Madhërishëm dëshiron që ne ta lavdërojmë Atë dhe ta adhurojmë, sepse është Më i madhi, Më i urti, i sheh të gjitha, i dëgjon të gjitha dhe i di të gjitha. A nuk duhet t’i bindemi?
Sa (pak) prej nesh e falënderon Allahun për begatinë e shëndetit, të ushqimit, të ujit dhe të tjerat?
Çka mendoni nëse ndodhë që mos të kemi ujë për disa ditë? Sigurisht, do të kishim vdekur. Allahu i Madhërishëm me siguri do të testojë me humbje të pasurisë, të jetës, të lashtave, me frikë dhe me uri. Këtë na tregon në Librin e Tij të shenjtë, por në fund Ai thotë:
“Ne do t’ju sprovojmë me ndonjë frikë, me uri, me ndonjë humbje nga pasuria e nga jeta e edhe nga frytet, po ti jepu myzhde durimtarëve. Të cilët, kur i godet ndonjë e pakëndshme thonë: “Ne jemi të Allahut dhe ne vetëm tek Ai kthehemi!” (El-Bekare, 155-156)
Allahu i faltë të gjithë besimtarët dhe besimtaret. Le të mendojmë pak për këtë. Amin!
Përshtati: Miftar Ajdini






















