Religjion
Haxhi – Udhëtimi drejtë xhenetit

Këto ditë haxhinjtë tanë nisen drejtë udhëtimit të jetës e që është shkuarja në haxh. Ky udhëtim nuk mund të krahasohet me asnjë udhëtim tjetër.
Gjatë këtij udhëtimi besimtarët kërkojnë kënaqësinë e Zotit, faljen e mëkateve dhe xhenetin. Ashtu siç edhe i Dërguari i Allahut ka premtuar në hadithet e tij, njeriu nga ky udhëtim kthehet i pastër nga mëkatet ashtu siç e ka lindur nëna dhe haxhi i pranuar nuk ka shpërblim tjetër jashtë se xhenetit.
Në këtë udhëtim, haxhinjtë kryejnë njërin nga pesë shtyllat e Islamit dhe i përgjigjen thirrjes së Allahut xh.sh i Cili nëpërmjet Ibrahimit a.s. ia bëri gjithë njerëzimit. Në Kuran përmendet se Allahu xh.sh e urdhëroi Ibrahimin a.s.: “Thirri njerëzit për haxhillëk: ata do të vijnë në këmbë dhe me deve prej të gjitha viseve të largëta (sureja Haxh, 27). Tregohet se Ibrahimi a.s. iu ankua Zotit duke thënë se zëri i tij nuk shkon deri tek ata. Atëherë Zoti i thotë: ti thirri, ndërsa Unë do ta përcjell zërin tënd deri tek ata.
Ibrahimi a.s. u ngjit në kodrën Saffa dhe i thirri njerëzit të vizitojnë Qabenë / të bëjnë haxhin. Thuhet se kodrat u rafshuan që zëri i Ibrahimit a.s. më lehtë të shkoj në gjitha anët e botës, kështu që e dëgjuan edhe ata që ishin në barkun e nënave por edhe ata që do të lindin më vonë. Kushdo që e dëgjoi këtë thirrje, edhe gurët, drunjtë dhe gjithçka tjetër iu përgjigj. Dhe, do ti përgjigjen deri në Ditën e Kijametit.
Andaj besimtarët të cilët kanë mundësi nuk duhet të vonojnë përgjigjen ndaj kësaj thirrje sepse i Dërguari i Allahut s.a.v.s ka thënë: “Shpejtoni në kryerjen e haxhit, sepse askush prej jush nuk e di se çfarë mund t’i ndodhë atij. (Ahmedi).
Përshtati: A. D. Islampress






















