Connect with us

Religjion

Çka pas Bajramit të Kurbanit?

Publikuar

Sadat ef. Islami

Falënderimi i takon Allahut. Atë e falënderojmë dhe prej Tij falje dhe ndihmë kërkojmë. Kërkojmë mbrojtje nga Allahu prej të këqijave të vetvetes dhe të veprave tona. Kë e udhëzon Allahu s’ka kush e lajthit dhe kë e largon nga rruga e vërtetë, s’ka kush e udhëzon. Dëshmoj se nuk ka zot tjetër përveç Allahut, i Cili është Një dhe dëshmoj se Muhamedi është rob dhe i dërguar i Tij. 

Besimtarë të nderuar! 

Kjo është ligjërata e parë pas Bajramit të Kurbanit, pas atyre ditëve të mrekullueshme që përjetoi bota islame. Kaluan 10 ditët e dhul hixhes, shkoi Dita e Arafatit, shkoi Dita e Bajramit të Kurbanit, shkuan edhe tri Ditët e tekbiri teshrikut, ndërsa tani çka? Çka pas këtyre stinëve të begative e mirësive? A duhet vazhduar rrugën drejt majave të ibadeteve, drejt sukseseve të reja në fe, drejt pastrimit të mëtutjeshëm shpirtëror, apo duhet kthyer traditës së vjetër të mëkateve?

Natyrisht se besimtari, pa asnjë hezitim a mëdyshje, do të përgjigjej për të parën, megjithatë, zbehja e angazhimit të tij, dobësia e personalitetit islam të tij dhe shprehja e traditës së vjetër në praktikë, dëshmojnë se zemrës së tij i duhet një shtytje, i duhet një përforcim, për ta mbajtur atë aktive, të fortë dhe dirigjuese edhe gjatë muajve tjerë.

Të nderuar muslimanë!

Kjo hutbe e sodit ka karakter vetëdijesimi. Këtu nëpërmjet pak fjalëve, synojmë kthjelljen e shpirtrave dhe mendjeve tona nga agonia e mëkateve dhe injorancës se feja nuk është sezonale. Nëse Bajrami i Kurbanit ka shkuar, nuk ekziston as më e thjeshta arsye për t’i bërë mëkat Allahut të Madhëruar, ngase ne jemi ende në një muaj të shenjtë, madje pas tij na pret muaji tjetër i shenjtë, muaji Muharrem. Dalja nga një stinë ibadetesh, nuk nënkupton zhveshjen prej ibadeteve, por vazhdimin e tyre në një formë tjetër. Një dijetar musliman, ka thënë: “Nuk është çlodhje braktisja e librit, por ndërrimi i tij me një libër tjetër.” Pra, nuk është mençuri ikja nga ibadetet, por ndërrimi i tyre. Nuk kërkohet shumë punë por kërkohet përhershmëri në to. Pejgamberi, a.s. ka thënë: أَحَبُّ الأَعمَالِ إِلى اللهِ أَدوَمُها وَإِن قَلَّ ”Veprat më të dashura tek Allahu janë ato, që janë në vazhdimësi e sipër edhe nëse janë pak”.

Vëllezër të dashur!

Siç e dini, pas më pak se tri jave, ne do ta kemi Vitin e Ri Islam, i cili nuk festohet me ngrehje dollish, me ahengje e mbrëmje gazmore, sikur që nuk shënohet asnjë festë tjetër islame në këtë formë, por ai e obligon besimtarin që me një laps dhe fletore në dorë ta llogarisë vetveten se cili është bilanci i veprave të mira dhe mëkateve që ka bërë gjatë vitit islam që po e lë pas. 

Kjo shumë bukur përputhet me kryerjen e Haxhit, ku pas tij dhe pas çdo ibadeti tjetër, besimtari duhet të kërkojë falje dhe ta lus Allahun që t’ia ketë pranuar ibadetet e t’ia ketë falur lëshimet.

Thotë Allahu i Plotfuqishëm: 

ثُمَّ أَفِيضُوا مِن حَيثُ أَفَاضَ النَّاسُ وَاستَغفِرُوا اللهَ إِنَّ اللهَ غَفُورٌ رَّحِيمٌ –

“Pastaj zdirgjuni andej kah zdirgjen njerëzit, kërkoni Allahut falje, se Allahu fal e është mëshirues”. (El Bekare, 199)

Jo vetëm ibadetet, por edhe jeta e njeriut duhet të përfundojë me kërkim falje të mëkateve.

Pas përhapjes se Islamit dhe kohës kur vdekjen e kishte pranë, Allahu i Madhëruar i shpalli Muhamedit a.s.: 

فَسَبِّحْ بِحَمدِ رَبِّكَ وَاستَغفِرْهُ إِنَّهُ كَانَ تَوَّابًا –

“Ti, pra, lartësoje Zotin tënd duke falënderuar dhe kërko nga Ai falje. Ai vërtet pranon shumë pendimin, është mëshirues i madh”. (En Nasr, 3)

Mu për këtë, porosia fetare për besimtarët është që gjithmonë jeta dhe ibadetet e tyre të jenë nën ombrellën e shpresës dhe frikës, shpresës se veprat e mira do të pranohen dhe frikës se ato, nga shkaqe që ne mund të mos i dimë, ndoshta nuk pranohen.

Xhematlinjë të respektuar!

Le t’i kushtojmë rendësi të madhe ruajtjes së besimit nga besëtytnitë dhe idetë a veprat që mund ta shkulin atë nga zemrat tona.

Le të kuptojmë se nuk është me rëndësi vetëm të besojmë, por të vdesim me besim;

nuk është me rëndësi vetëm të falim namaz, por të na pranohet namazi;

nuk është me rëndësi vetëm të agjërojmë në ramazan por ta vazhdojmë traditën e agjërimit qoftë me nga dy ditë në jave a tri ditë në muaj;

nuk është me rëndësi vetëm të punojmë vepra të mira por me rëndësi është që Allahu i Madhëruar të na merr shpirtin duke qenë ne në vepra të mira, ngase Pejgamberi a.s., ka thënë: 

يبعث كل عبد على ما مات عليه  “Çdo njeri ringjallet në veprën në të cilën ka vdekur”. 

O Allah! Na vdis në namaz dhe na ringjall duke qenë në sexhde për Ty!

Na vdis me agjërim, dhe na ringjall në atë gjendje dhe na fut në xhenet nëpërmjet derës Rejjan! Na vdis si besimtar, me jetën e të cilëve Ti do të ndahesh i kënaqur! Amin!

NA NDIQ NË FACEBOOK