Connect with us

Religjion

A duhet të bëjmë lutje për njerëzit e këqij?

Publikuar

më

Ishte njëherë një ligjërues -vaiz. Sapo u ngjit në minber, i ngriti duart dhe filloi të bëjë lutje:‎

‎“O Zot, mëshiroji ata që plaçkitin në rrugë, njerëzit e këqij, rebelët, shtypësit! Mëshiroji ‎të gjithë njerëzit e kafeneve dhe ata që tallen me njerëzit e mirë.”‎

Njerëzit i thanë atij:‎

‎“Ne nuk kemi parë deri më tash një zakon të tillë. Nuk është fisnike të bëhet lutje për ata ‎që kanë dalë nga rruga (e drejtë).”

Mirëpo, ai u përgjigj: ‎

‎“Ata më kanë bërë mirë mua, prandaj unë bëj lutje për ta. Ata kanë bërë shumë të këqija, ‎zullum dhe tortura, por në fund mua më kanë shpëtuar nga e keqja dhe më kanë ‎bashkuar me njerëzit e mirë. Sa herë i jam kthyer dynjasë, kam përjetuar tortura prej ‎tyre, kam vuajtur, kam ngrënë dajak. Për këtë shkak kam ikur dhe kam shkuar tek ‎njerëzit e mirë. Mua këta njerëzit e këqij më kanë sjellë në këtë rrugë. Ata ishin shkaku i ‎mirësisë sime, andaj unë bëj lutje për ta.”‎

Robi i drejtohet Zotit për mbrojtje nga dertet dhe nga kaderi. Ai ankohet për qindra vështirësi ‎që e godasin, dhe Allahu i thotë:

‎“Tani ke parë, në fund vuajtjet dhe dertet të kanë sjellë në gjendje që të më lutesh Mua ‎dhe të kanë përmirësuar. Ti ankohesh për atë i cili të largon nga porta Ime, i cili të ‎largon nga rruga jote. Në realitet, secili armik është ilaçi yt, të furnizon me dobi që të ‎ikësh prej tij, që të tërhiqesh dhe të kërkosh mirësinë e Allahut.”‎

Për këtë shkak, pejgamberët kanë përjetuar poshtërime dhe vuajtje të mëdha. Vuajtjet që i ‎kanë përjetuar ata, kanë qenë shumë më të mëdha se vuajtjet që ka përjetuar mbarë bota.

‎Belatë që i kanë goditur ata, nuk e kanë goditur asnjë grup tjetër njerëzish.‎

Nëse Allahu të jep ndonjë vështirësi, bëj durim dhe ji i kënaqur. Belaja e cila të vjen nga ‎Miku të pastron. Nëse një njeri sheh hajr në bela, atëherë belaja bëhet e ëmbël. Kur pacienti ‎e sheh se është shëruar, ilaçi i hidhur i duket i ëmbël.‎/Akos.ba/

Përkthim: Miftar Ajdini

NA NDIQ NË FACEBOOK