Lajme
Qeveria miraton ndryshime në Kodin e Procedurës Penale, ja për çfarë bëhet fjalë

Qeveria ka miratuar ndryshime në Kodin e Procedurës Penale dhe i ka kaluar për miratim në Kuvend. Në projektligjin e miratuar në mbledhjen e Këshillit të Ministrave parashikohet që personat të cilët kanë kryer krime ndaj të miturve të mos kenë të drejtë për të kërkuar gjykim të shkurtuar.
Në Nenin 403, thuhet se personat që kanë kryer krime të rënda që dënohen me burgim për përjetshëm nuk kanë të drejtë për të kërkuar gjykim të shkurtuar. Nëse miratohet në Kuvend projektligji i propozuar, atëherë edhe personat që abuzojnë me të miturit nuk do të kenë të drejtë për gjykim të shkurtuar.
Njoftimi i plotë:
P R O J E K T L I GJ PËR NJË SHTESË NË LIGJIN NR.7905, DATË 21.3.1995, “KODI PROCEDURËS PENALE I REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË”, TË NDRYSHUAR
Në mbështetje të neneve 81, pikat 1 dhe 2, shkronja “d”, e 83, pika 1, të Kushtetutës, me propozimin e Këshillit të Ministrave, Kuvendi i Republikës së Shqipërisë
V E N D O S I:
Neni 1
Në paragrafin e dytë, të nenit 403, të ligjit nr.7905, datë 21.3.1995, “Kodi Procedurës Penale i Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar, pas fjalëve “… me burgim të përjetshëm …” shtohen “…, krimet e kryera ndaj viktimave të mitur si dhe për veprën penale të parashikuar nga neni 130/a i Kodit Penal …”.
Neni 2
Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në “Fletoren zyrtare”./abcnews.al




















