Connect with us

Lajme

Gazetari zbardh detaje të reja nga hetimi për sulmin në TCH, ja letra që i është dërguar Gjermanisë

Publikuar

Tashmë në një laborator shkencor në Gjermani po kryhen hetimet për identifikimin e autorëve që sulmuan “Top Channel” më 27 mars të këtij viti. Përmes një letre të dërguar jashtë vendit, mostrat e analizës së ADN-së të fiksuara në makinën tip “Range-Rover” dhe disa gëzhoja automatike, janë dërguar për ekzaminim në Gjermani. Sipas gazetarit Elton Qyno, i cili shkruan për Ora news, Prokuroria e Tiranës ka marrë mostrat e gjetura në automjet dhe në vendngjarje në Gjemani me shpresën se aty mund të ketë një profil krahasues, i cili më pas do të çojë në identifikimin. të autorëve.

Kjo metodë ka rezultuar e suksesshme në identifikimin e rastit të vrasjes së Eglantina Bucit në vitin 2012. Ndërsa Prokuroria e Tiranës ka arritur vetëm të mësojë se plumbi që vrau gardianin ishte një rikoset. Kjo e dhënë ka përjashtuar mundësinë që viktima Pal Kola të ketë qenë objektivi i autorëve. Në të njëjtën kohë, Prokuroria e Tiranës është në pritje të përgjigjeve të një letre nga Europoli qendror në Holandë. Të dhënat që do të vijnë prej andej kanë ngjallur shpresën për të zbuluar agresorët.

Sulmi i rëndë ka ndodhur pak pas mesnatës së 27 marsit dhe viktima ka mbetur roja i sigurisë, Pal Kola, 60 vjeç. Autorët i janë afruar objektit të televizionit me një ‘Range Rover’ dhe kanë qëlluar me dy kallshnikov. Më pas janë larguar në drejtim të Kasharit, janë futur në autostradën Tiranë-Durrës dhe kanë marrë rrugën për në Golem ku kanë djegur makinën e përdorur në krim. Policia deri më tani nuk ka të dyshuar për ngjarjen dhe ka kërkuar ndihmë nga qytetarët për informacione të vlefshme. Si shpërblim ofron shumën prej 100 mijë eurosh.

NA NDIQ NË FACEBOOK