Connect with us

Lajme

Familja e Agonis Tetaj i dërgon letër trupit gjykues, bojkoton seancën: Nuk kemi më besim në drejtësi

Published

on

Familja e Agonis Tetaj përmes një letre ka njoftuar gjyqtarët se nuk do të marr pjesë në rigjykimin e Shaban Tetajt i cili u dënua me 7 vite e gjashtë muaj për “vrasje nga pakujdesia” të të ndjerit Agonis Tetajt nga komuna e Deçanit.

Përmes letrës që ka siguruar Gazeta Insajderi, avokati i familjes Tetaj, Berat Tmava ka njoftuar gjyqtarët se as ai e as familja Tetaj nuk do jenë në seancë pasi që siç thuhet në letër kanë humbur besimin në drejtësi.

Përfaqësuesi Tmava me anë të parashtresës më 19 maj, kishte njoftuar gjykatën se nuk kanë më besim tek trupi gjykues pasi që kanë konsideruar se trupi gjykues herën e parë ka vendosur duke u ndikuar.

Në letër, po ashtu numërohen disa prej provave që i njëjti trup gjykues nuk i kishte marrë parasysh në shqyrtimin e parë kur veprën penale e cilësoi “vrasje nga pakujdesia”

“Videoincizimi i ditës kritike i cili pasqyron në detaje veprimet e të akuzuarit i cili me dashje e privon nga jeta Agonis Tetajn, provë e pakontestueshme. Të cilën provë e përshkruan në mënyrë tepër profesionale ekspertët e forenzikës dhe me të gjitha përshkrimet e tyre konstatohet se vrasja është kryer me dashje dhe kryesi i veprës penale i kishte të ditura të gjitha elementet e përdoruesit profesional të armës së zjarrit. Dëshmitë e ekpsertëve Fejsal Lutfiu dhe Lutfi Raci nga institucionet e shtetit. Dëshminë e përgjegjësit për hetime në rajonin e Pejës Agron Hasanaj, i cili dëshmoi se në momentin e mbërritjes në vendin e ngjarjes rryma ishte e ndalur, vetëm në objektin ku kishte ndodhur rasti me qëllim që të manipulohen provat. Dëshmitë e policit Imer Hylaj që deklaronte se janë kontaminuar provat. Dëshmitë e policëve të stacionit të Deçanit që hynë pa autorizime në vendin e ngjarjes dhe i kontaminuan provat”, thuhet në letër.

Të gjitha këto prova sipas familjes Tetaj dhe avokatit Tmava, nuk u morën parasysh në vendimin e shkallës së parë, për të cilat më pas Apeli vlerësoi se kanë qenë të rëndësishme për procesin gjyqësor.

Sipas familjes Tetaj, familja e të akuzuarit Gogaj është tejet e fuqishme në atë zonë, dhe ka ndikuar në gjithë procesin gjyqësor. Andaj, ata kanë theksuar se nuk do të vazhdojnë të jenë pjesë e këtij procesi gjyqësor.

“Familja e dëmtuar Tetaj më nuk do të jenë në Gjykatë si aktorë dekorues të një skenari i cili nuk ka fare të bëjë me ligjshmërinë dhe ndarjen e drejtësisë. Për fat të keq familja Tetaj i ka humbur të gjitha shpresat sidomos nga trupi gjykues në Gjykatën e Pejës, dhe dyshojmë se si do të jetë rezultati përfundimtar në këtë çështje juridiko-penale me një trup gjykues të udhëhequr nga ju”, thuhet në këtë letër.

Kujtojmë se Në Gjykatën Themelore të Pejës të hënën, është ndërprerë shqyrtimi gjyqësor ndaj Shaban Gogajt dhe Isuf Cacajt. Seanca e parë e rigjykimit u ndërpre për shkak se i akuzuari Cacaj nuk kishte avokat mbrojtës të caktuar.

Agonis Tetaj u vra në shtator të vitit 2018 në komunën e Deçanit në vendin e punës. Aty Tetaj ishte duke punuar, dhe i njëjti u vra nga djali i pronarit.

NA NDIQ NË FACEBOOK