Bota
Shqiptarët sërish kryefjalë! Mediat britanike: Reperi shqiptar tallet me…

Gazeta britanike Daily Telegraph, ka vendosur sërish në qendër shqiptarët e Londrës, teksa ka sjellë për lexuesit një shkrim bazuar në një video ku një reper shqiptar tallet me sekretaren e shtetit Suella Braverman.
Një reper i njohur shqiptar me bazë në Mbretërinë e Bashkuar ka shkaktuar zemërim brenda komunitetit të tij duke publikuar një video muzikore në të cilën ai thyen një ekran televiziv që tregon Suella Braverman duke folur për imigracionin e paligjshëm në Commons.
OG Merks, një reper me mijëra ndjekës tallet me goditjen e qeverisë ndaj trafikantëve të njerëzve dhe abuzimin e supozuar të shqiptarëve ndaj ligjeve moderne të skllavërisë.
Reperi, emri i vërtetë i të cilit është Bledar Ramaj, shihet në video me burra të veshur me kapuç duke përdorur një makinë bankare për të numëruar paketat e kartëmonedhave prej 20 £, ndërsa Sekretarja e Brendshme dëgjohet duke u thënë deputetëve për një operacion të madh ndërkombëtar nga Agjencia Kombëtare e Krimit ( NCA) kundër bandave të trafikut.
Më pas ai u thotë burrave të maskuar që të ngrejnë volumin në televizor përpara se ta thyejnë atë, ndërsa zonja Braverman i thotë Commons për rritjen e numrit të shqiptarëve që hyjnë ilegalisht në Mbretërinë e Bashkuar me varka të vogla përgjatë Kanalit dhe se “shumë prej tyre” po abuzojnë me ligjet për të qëndruar në vend.
Titulli i këngës është “Marko from Tropoja” me emrin e një personazhi shqiptar në filmin Taken ku Liam Neeson luan rolin e një babai, vajza e të cilit është rrëmbyer nga kreu i bandës Marko nga Tropoja.























