Connect with us

Bota

Shembet ndërtesa në Marsejë, dyshohet për dhjetëra të bllokuar në rrënoja

Published

on

Shembja e një ndërtese banimi katërkatëshe në Marsejë të dielën la të lënduar të paktën pesë persona.

Shembja e ndërtesës në qytetin port të Francës jugore ndodhi rreth orës 12:40 të mëngjesit, u tha gazetarëve kryebashkiaku i Marsejës , Benoit Payan. Një ndërtesë tjetër u shemb më vonë të dielën në mëngjes.

Deri më tani, pesë persona u plagosën nga dy banesa pranë ndërtesës së shembur në lagjen qendrore La Plaine, tha Payan, por zjarri në rrënoja vazhdonte.

Zjarri është “jashtëzakonisht i vështirë për t’u kontrolluar. Zjarrfikësit po gjykojnë minutë pas minute se si ta shuajnë më mirë këtë zjarr, sepse ka njerëz të gjallë brenda“, tha Payan.

“Duhet të përgatitemi që të kemi viktima në këtë tragjedi të tmerrshme”.

Rrugët përreth ndërtesës së shembur ishin të rrethuara dhe të mbytura me pluhur, ndërsa zjarrfikësit po kalonin me vështirësi nëpër mbeturinat e ndërtesës.

“Ne po përpiqemi të përshpejtojmë operacionet e kërkimit dhe shpëtimit sepse koha është thelbësore, por qentë e kërkimit nuk mund të qëndrojnë në vapë”, tha komandanti i zjarrfikësve detarë të Marsejës, Lionel Mathieu.

Mbetet e paqartë se sa banorë janë në ndërtesën e shembur, thanë autoritetet.

Por punonjësit e shpëtimit janë në një garë me kohën për të evakuuar ndërtesat fqinje të dëmtuara, gjithashtu në rrezik shembjeje.

“Për momentin po pastrojmë ndërtesat ngjitur, duke u kujdesur që të mos rrezikojmë njerëzit që mund të ndodhen nën rrënoja”, tha kryebashkiaku.

Në pallatet përreth janë “prekur” mbi 30 banorë, ndërsa pesë janë të plagosur. Të gjithë të evakuuarit janë aktualisht të strehuar në shkolla dhe çerdhe.

Prefekti rajonal Christophe Mirmand i tha AFP-së se kishte “dyshime të forta” se një shpërthim shkaktoi shembjen, ndoshta një rrjedhje gazi.

Një shitës ushqimesh natën vonë që punonte në rrugë tha se “gjithçka u drodh” gjatë asaj që dukej si një shpërthim.

“Ne pamë njerëz që vraponin dhe kishte tym kudo”, tha Aziz, i cili nuk pranoi të jepte mbiemrin e tij.

Një tjetër kolaps i madh ndodhi në Marsejë në nëntor të vitit 2018, kur dy ndërtesa të rrënuara të Noailles u rrëzuan, duke vrarë tetë njerëz.

Aksidenti hodhi dritë mbi standardet e banimit të qytetit.

Por autoritetet duket se përjashtuan çështjet strukturore në kolapsin e fundit, në një lagje të njohur për baret dhe jetën e saj të natës./ Top Channel