Lajme
Përndoqi Noizyn, ndalohet në aeroport Cllevio

Kleviol Ahmetaj është ndaluar në Rinas pasi ka përndjekur dhe ka kërcënuar me jetë reperin Rigels Rajku (Noizy). Ahmetaj është shoqëruar në Drejtorinë Vendore të Policisë Durrës.
Siç thuhet në dokumentin e siguruar nga gazetarja e Klan News Glidona Daci, Kleviol Ahmetaj i ka shkaktuar reperit frikë të vazhdueshme dhe ankth pasi e ka kërcënuar me jetë në Tik-Tok.
Ndalimi i tij është bërë sot rreth orës 01:00 nga Shërbimet e Komisariatit të Rinasit pas kallëzimit të bërë nga Rigels Rajku dhe babai i tij, Bashkim Rajku më datë 13 Prill të këtij viti me pretendimin se ai ka kërcënuar reperin me fjalët “do të vras, do të shkatërroj”.
Kleviol Ahmetaj ka qenë i dënuar më parë për trafikim të lëndëve narkotike.
Njoftimi i Policisë:
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Durrës ndaluan shtetasin K. A., 37 vjeç, banues në Lushnjë, për veprën penale “Përndjekja”, pasi ka përndjekur disa herë, në rrjetet sociale, shtetasin R. R., banues në Durrës.
Shtetasi K. A. është ndaluar në Rinas, në hyrje të Republikës së Shqipërisë, nga shërbimet e Komisariatit Rinas, pasi ishte shpallur në kërkim nga Komisariati i Policisë Durrës./tvklan.al





















