Bota
Kush e do të vdekur? Izet Haxhinë tentojnë ta helmojnë brenda burgut të Reçit, avokat i tij mbrojtës Idajet Beqiri zbardh detajet e bujshme dhe akuzon Berishën se fshihet pas këtij plani

Avokati Idajet Beqiri ka denoncuar dje se ish-truprojën e Sali Berishës, Izet Haxhinë kanë tentuar ta helmojnë në burgun e Reçit. Në një komunikatë për mediat, Haxhiu pretendon se punonjës të burgut të Reçit i kanë dërguar në qelinë e izolimit, Haxhisë një qese me ilaçe dhe i kanë thënë që ia kanë dërguar familjarët. Por sipas Beqirit, Haxhia menjëherë ka kontaktuar me familjarët e tij, pasi çdo ushqim apo ilaç e merr nga motra e tij. Beqiri shkruan se motra i ka thënë Haxhisë se nuk ia ka dërguar ajo qesen me ilaçe dhe kështu sipas tij kjo është një tentativë për ta helmuar dhe për ta hequr qafe. Beqiri thotë se Haxhia ka kërkuar takim me drejtorin e burgut të Reçit, por i kanë thënë se ilaçet i janë dërguar gabimisht. Ndërkohë. Beqiri thotë se po përpiqen që të eliminojnë Haxhinë pasi ka kundërshtarë të fortë dhe sipas tij kjo tentativë vjen edhe pas kallëzimeve të forta që Haxhia ka bërë ndaj Sali Berishës, të cilin e ka akuzuar si të përfshirë në vrasjen e Azem Hajdarit, apo edhe për Ilir Metën. Haxhia ka thënë vite më parë kanë dhënë 1 mln euro për ta eliminuar fizikisht. Izet Haxhia është i vetmi person i dënuar me 21 vite burg për vrasjen e Azem Hajdarit. Ndërkohë më poshtë gazeta “SOT” po pasqyron të plotë gjithë reagimin e avokatit mbrojtës të Izet Haxhisë, zotin Idajet Beqiri.
Ja reagimi i plotë i avokat Idajet Beqiri
Tentativa për ta helmuar
Në datën 10 prill 2023, në dhomën e izolimit të Burgut të Reçit, ku ndodhet ende i paraburgosur Izet Haxhia, i ka shkuar një “pako me ilaçe”! Izet Haxhia ka pyetur punonjësin e Burgut se cili nga familjarët e tij i kishin sjellë këto “ilaçe”. Punonjësi i IEVP Reç i ka thënë se këtë pako me “ilaçe” dhe “vitamina” ta kanë sjellë njerëzit e familjes tënde. Meqenëse Izet Haxhia plotësimin e nevojave të tij për ilaçe, ushqime etj, i bënë vetëm përmes motrës së tij me banim në Tiranë, i ka telefonuar asaj. Motra e tij Ilmia, tepër e shqetësuar, e ka vënë në dijeni se nuk i ka sjellë asnjë lloj “ilaçi” atij, dhe e ka porositur të vëllanë që të mos i përdorte ato në asnjë rrethanë! Izet Haxhia ka kërkuar takim urgjent me drejtuesit e Burgut të Reçit, por i ka shkuar një përfaqësues dhe i ka thënë që ishte bërë një “gabim”, pasi dërgesa nuk dihej cilit të burgosur i përkiste, sikurse nuk identifikohej as personi që i kishte futur këto “ilaçe” deri në dhomën e izolimit të Burgut ku qëndron Izet Haxhia.
Transferimi nga burgu 302 tek ai i Reçit
Izet Haxhia është larguar me urgjencë nga Burgu 302 “Mine Peza” në Tiranë dhe është transferuar në Burgun e Reçit me arsyetimin se ishte në kushte paraburgimi dhe duhet të kalonte në regjim kampi në IEVP Reç. Në fakt ai për 20 ditë mbahet i izoluar shumë më keq se një i paraburgosur në Burgun e Reçit, duke lënë shkas për veprime të tilla të dyshimta, si kjo me “ilaçet”, për ta eleminuar atë fizikisht! Bota e krimit, e cila i ka tantakulat e saj shumë të forta në Burgje, për shkak të një kallëzimi penal tepër serioz që Izet Haxhia ka bërë kundër ish Presidentit të Republikës Sali Berisha, ish Kryeministrit Ilir Meta etj, kallëzim penal që është regjistruar në SPAK në vitin 2019 dhe është në proces hetimi, kërkojnë eliminimin e tij.
Thirrja për SPAK
SPAK, megjithëse e ka për detyrë ta marrë në mbrojtje të posaçme këtë kallëzues dhe dëshmitarë okular për një numër të konsiderueshëm krimesh tepër të rënda të kryera në kuadrin e organizatës kriminale prej dy ish pushtetarëve më të lartë të vendit, Sali Berisha, Ilir Meta, etj, jo vetëm që i zvarrit prej 4 vjetësh pa shkak hetimet, por me qëndrimin e vet jo ligjor, e lë këtë kallëzues dhe dëshmitar okular në mëshirën e krimit të organizuar për t’i marrë jetën atij. “Alarmi” që ka dhënë Ilmie Haxhia, motra e Izet Haxhisë, pas aktit të paprecedent me të ashtuquajturat “ilaçe”, duhet vlerësuar me seriozitetin e kërkuar nga ligji nga Ministria e Drejtësisë dhe SPAK, për të siguruar jetën e Izet Haxhisë.
Reagon Drejtoria e Burgjeve
Ndërkohë dje drejtoria e Burgjeve ka hedhur poshtë zërat se ka pasur një tentativë për të helmuar në qeli Izet Haxhinë. Sipas saj, një të burgosuri tjetër me të njëjtin emër i kanë ardhur ilaçe nga familjarët dhe ka pasur një ngatërresë, duke përfunduar te Haxhia. “Më datën 07.04.2023 një të burgosuri tjetër me të njëjtin emër (Izet.A), i kanë ardhur ilaçe nga familja nëpërmjet postës dhe janë administruar në zyrën e informacionit për kontroll dhe miratim të mjekut, sipas procedurave përkatëse. Infermierët e turnit, V.Gj dhe A.S kanë marrë ilaçet nga zyra e informacionit dhe janë nisur për tja dërguar personit të cilit i kishin ardhur (Izet.A) dhe gjatë kalimit nga sektori i observimit kanë parë emrin e Izet Haxhisë në derë të dhomës dhe e ka pyetur nëse të kanë ardhur ilaçe nga familja. I dënuari Izet Haxhia është përgjigjur se nuk më kanë ardhur ilaçe dhe infermierët V.Gj dhe A.S, i kanë kërkuar falje duke e sqaruar se ilaçet ishin të të dënuarit Izet. A. Sot datë 12.04.2023, gjatë daljes për në gjykatë i dënuari Izet Haxhia nisur nga keqkuptimi i datës 07.04.2023, i ka shprehur një oficeri të institucionit se mund të më helmojnë”, thuhet në reagim.















