Lajme
“Kam parë vdekjen me sy”, flet e reja që u mbajt peng dhe u torturua nga i dashuri

“Kam parë tmerr me sy, kam parë vdekjen me sy”. Kështu shprehet e tronditur 28-vjeçarja, e cila u mbajt peng nga i dashuri i saj 31-vjeçar dhe u torturua prej tij barbarisht. Ngjarja e rëndë, që ndodhi në një apartament në rrugën “Frosina Plaku” në Tiranë, duket se ishte e paralajmëruar. Kjo pasi siç rrëfen vetë e reja, Gleard Gusholli e kishte dhunuar edhe më parë.
Ata ishin njohur rreth 1 vit e gjysmë më parë dhe kishin qëndruar bashkë edhe në Gjermani, aty ku 28-vjeçarja jetonte e punonte. Edhe atje e kishte dhunuar dhe familja e saj e kishte përzënë nga shtëpia.
Por pavarësisht kësaj, siç rrëfen ajo vetë, e reja vendosi të vijë në Shqipëri për të bashkëjetuar me 31-vjeçarin. E ky i fundit, 1 javë pasi po bashkëjetonin, e mbylli në shtëpi dhe e dhunoi në formë barbare.
E dhunuara: Unë kam ardhur më datë 1 Prill për të bashkëjetuar me Gleardin. Java e parë ka kaluar mirë, nuk jemi zënë, kemi sistemuar shtëpinë tonë. Javën e dytë kam parë tmerr me sy, kam parë vdekjen me sy. Më ka kërcënuar, ‘do të hedh në lumë, do marr kushëririn tim tani në telefon, do të të hedh në lumë. S’do të të nxjerr nga shtëpia’. Unë vetë kam tentuar disa herë të hidhesha nga ballkoni se nuk e duroja dot më. Më gjuante me shkelma, me grushta në kokë, në fytyrë në trup. Më gjuante me një shkop që ishte me gozhda. Më gjuante në gjithë trupin, më nxirrte thikën, ma mbante te trupi, te këmba… ma mbante dhe më thonte që unë do ta çaj barkun. I lutesha, i thoja ‘ma hap derën dhe nuk më do, nuk më do në rregull, vetëm ma hap këtë derë që të dal nga kjo shtëpia’. Ai donte me u hakmarrë tek unë, ky ka qenë plani i tij.
-Po përse?
E dhunuara: Sepse ne kemi qenë 3 muaj të ndarë dhe në Gjermani ka filluar gjithë kjo dhunë. Prindërit e mi e kanë marrë vesh që ushtronte dhunë ndaj meje dhe e kanë nxjerrë nga shtëpia në Gjermani./tvklan/




















