Religjion
Dyert e Xhenetit janë të hapura

Falënderimi i takon Allahut. Atë e falënderojmë dhe prej Tij ndihmë, falje dhe udhëzim kërkojmë. Kërkojmë mbrojtje nga Allahu prej të këqijave të vetvetes dhe të veprave tona. Atë njeri të cilin e drejton Allahu askush nuk mundet ta humbasë, ndërsa atë njeri që humbët rrugën dhe veten e tij, askush tjetër veç Allahut nuk mundet ta drejtojë.
Dëshmojmë dhe vërtetojmë se nuk ka zot tjetër përveç Allahut të Madhërishëm, që është Një dhe i pa shoq. Dhe dëshmojmë dhe vërtetojmë se Muhamedi është rob dhe i dërguar i Tij, paqja dhe mëshira e Allahut qofshin gjithmonë mbi të, mbi familjen e tij, mbi shokët e tij dhe mbi të gjithë agjëruesit.
Të dashur besimtarë!
Ramazani i hap dyert e Xhenetit, i mbyll dyert e Xhehenemit dhe i prangos shejtanët. Në dyert e Xhenetit të cilat hapen në ramazan do të hyjnë ata që meritojnë të hyjnë. Nuk është i mjaftueshëm vetëm ramazani dhe qëndrimi në të, as përkushtimi i ibadeteve vetëm në këto 30 ditë për tu bërë (quajtur) banor i Xhenetit.
Ramazani është muaj i udhëzimeve. Në të Allahu i Plotfuqishëm fa filluar t’i flasë njeriut. Ka filluar të zbresë shpallja e fundit dhe fjala përfundimtare e Allahut për njerëzimin. Ndjekja e udhëzimit dhe jetësimi i fjalës së Allahut është rruga e cila na shpie kah dyert e hapura të Xhenetit.
Në ramazan agjërojmë, urdhrin e Allahut e zbatojmë dhe vetvetes shpërblim të madh i sigurojmë. Allahu i Madhërishëm thotë: “Agjërimi është i Imi dhe Unë për të shpërblej posaçërisht!” Agjërimi bën që era e gojës së agjëruesit për Allahun të jetë më e këndshme se aroma e miskut.
Në ramazan ne heqim dorë nga kënaqësitë, të gjitha i bëjmë me dëshirë që ta fitojmë kënaqësinë përfundimtare, Xhenetin.
Duke u tërhequr nga kënaqësia që është hallall, ne mësohemi të tërhiqemi edhe nga kënaqësia që është mëkat.
Poeti thotë:
Ajo që sot të duket e ëmbël, nesër mund të shkaktojë dhimbje,
prandaj mendo mirë përpara, se pastaj mund të mos ketë dobi.
Agjërimi na shtynë në këto mendime, na inkurajon të mendojmë për mëkatin përmes pasojave të tij, dhe kështu të ikim larg prej tij.
Në ramazan bëjmë ibadete shtesë. Me përjashtim të 5 namazeve të cilat i kryejmë gjatë vitit dhe gjithë jetën, ne kemi edhe namazin e veçantë të ramazanit, teravinë. Duke pasur parasysh veçantinë e ambientit të ramazanit dhe veçantinë e tij, ibadeti i kryer në ramazan vlen më shumë.
Pejgamberi savs na mëson se farzi në ramazan është si 70 farze jashtë tij, kurse nafilja në ramazan, është si farzi në ditët e tjera.
Duke bërë ibadet ne ecim kah mëshira e Allahut dhe e synojmë magfiretin, sepse e dimë se namazet i fshijnë mëkatet; se ramazani na mundëson që të dalim prej tij të pastër nga mëkatet; si dhe e dimë që sadaka i shlyen mëkatet ashtu siç e shuan uji zjarrin, andaj ne edhe këtë ibadet në ramazan do ta plotësojmë.
Në ramazan ne japim, ndajmë për bamirësi. Me këtë ndarje, ne agjërimit tonë ia trasojmë rrugën kah Allahu, por edhe mësojmë se duke dhënë ne vetes ia rrisim nafakën. Pejgamberi savs thotë: “Ju ndihmën dhe furnizimin e Allahut e fitoni sipas qëndrimit tuaj ndaj të dobëtëve.”
Ramazani ia hap dyert e Xhenetit atij që e hap zemrën e tij dhe në të e pranon fjalën e Allahut si udhëzim i cili është nxitje për vazhdimësi në vepra të mira. Mbyllja vetvetes derën e xhamisë pas ramazanit, do të thotë, se nuk je i vendosur sikur në ramazan për të shkuar kah dyert e hapura të Xhenetit.
Palosja e sexhades dhe largimi i saj deri në ramazanin e ardhshëm, do të thotë, të heqësh dorë nga rruga që çon në dyert e Xhenetit. Kthimi në kryerjen e mëkateve, prej të cilave na ka larguar ramazani me fuqinë e veçantisë së tij, do të thotë, me të gjitha forcat të mundohesh t’i hapësh dyert e Xhehenemit të cilat janë mbyllur në ramazan.
Allahu i Madhërishëm premton se do të nderohen me kopshte të Xhenetit:
ata të cilët sinqerisht besojnë;
ata që e falin namazin me kohë;
ata që në pasuritë e të cilëve ka një pjesë për nevojtarët;
ata të cilët besojnë në jetën e përtejme;
ata që i frikësohen ndëshkimit;
ata që u shmangën mëkateve;
ata që detyrat e tyre dhe amanetet e besuara besnikërisht i përmbushin; dhe
ata të cilët namazin e ruajnë, duke e kryer rregullisht.
Ibni Abbasi (r.a. )transmeton se Pejgamberi (savs) ka thënë: “Vërtet, për çdo vit Xheneti dekorohet dhe zbukurohet për shkak të ardhjes së ramazanit. Kur hyn nata e parë e këtij muaji, nën Arshin e Allahut fryn një erë e cila i lëkund gjethet e pemëve të Xhenetit dhe i lëviz hallkat në portat e Xhenetit. Prej tyre formohet një zë i tillë, çfarë askush asnjëherë nuk ka dëgjuar. Do të paraqiten hyritë e Xhenetit, do të renditen nëpër kopshtet e tij dhe do të thonë: A ka dhëndër të cilët do të na kërkojnë te Allahu dhe të martohen me ne? O Ridvan, cila është kjo natë? Ai do të përgjigjet dhe thotë: “Kjo është nata e parë e ramazanit “. I Lartëmadhërishmi urdhëron: “O Ridvan, hapi dyert e Xhenetit për agjëruesit e umetit të Muhamedit a.s.” Pastaj i kthehet Xhibrilit dhe i thotë: “O Xhibril, zbrit në Tokë dhe prangosi në pranga shejtanët, që mos të jenë në gjendje t’i mashtrojë pasuesit e të dashurit Tim Muhamedit a.s. e t’ua prishin agjërimin.
Allahu i Madhërishëm për çdo natë të ramazanit thirrë tri herë: “A ka dikush që kërkon diçka, që t’i japë atij? A ka pendues të cilëve do t’ua pranojë pendimin? A ka ndokush që kërkon falje që Unë ta fal!”
Kur vjen Nata e Kadrit, Allahu i Madhërishëm e urdhëron Xhibrilin që të zbresë me një grup të melekëve në Tokë. Xhibrili i ka 600 krahë, dy prej të cilëve i hap vetëm në Natën e Kadrit. Atë natë i shtrinë ata dhe e mbulon me ta edhe Lindjen edhe Perëndimin. Xhibrili i shpërndan melekët në të gjitha anët dhe ata e përshëndesin me selam secilin njeri që e gjejnë duke bërë ibadet. Ata i shtrëngojnë duart me ta dhe bëjnë amin në lutjet e tyre. Kjo zgjat deri në agim. Kur të lind dielli, Xhibrili thërret: O melekë, nisje, nisje! Melekët pyesin: “Çfarë bëri Allahu për besimtarët e umetit të Muhamedit?’ Ai u thotë atyre: “Allahu i ka falur të gjithë, përveç 4 prej tyre!” Ata pyesin: “Kush janë ata?” Xhibrili thotë: “1. Ai që konsumon alkool, 2. Ai që është i padëgjueshëm dhe mosmirënjohës ndaj prindërve të vet, 3. Ai që nuk i mban lidhjet familjare, dhe 4. Ai që me vëllain e tij musliman nuk flet më shumë se tri ditë.” / Tenbihul gafilin /
Ajo që na orfon ramazani është tepër e madhe. Ai na ofron dyer të hapura të Xhenetit. Mos t’i mbyllim ato me largimin tonë nga ajo që ramazani i ka sjellë njeriut; ia ka sjellë atij Udhëzimin dhe Paralajmërimin. Kur të kalojë ramazani përsëri hape derën e xhamisë, vazhdo ta shtrosh sexhaden në shtëpinë tënde për ta falënderuar Allahun. Përsëri kundërshtoje shejtanin dhe vazhdo në shmangien e mëkateve, kështu që dyert e Xhenetit para vetes mbaji gjithmonë të hapura.
O Allah, na i prano syfyrit tanë, iftaret tona, namazet tona, ibadetet tona, lutjet tona, bamirësitë tona – me mëshirën Tënde o Më i Mëshirshmi! Amin!!!
Përshtati: Miftar Ajdini





















